Pasi Apeli i GJKKO e dënoi përfundimisht me 2 vite e 8 muaj burgim për akuzën e ‘shpërdorimit të detyrës’, ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, ka lënë ambientet e spitalit për t’u rikthyer në qeli.
Pas disa ditëve qëndrim në spital për shkaqe shëndetësore, Policia ka shoqëruar Dakon në burgun e Durrësit, pasi gjendja e tij është përmirësuar.
Ish kryebashkiaku Vangjush Dako do të qëndrojë në qeli vetëm 6 ditë, pasi sipas përllogaritjeve, atij i mbaron dënimi më 27 shtator, ndërsa pjesën më të madhe të dënimit e ka shlyer nën masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’.
Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, u dënua me 2 vite e tetë muaj burgim nga Gjykata e Apelit të Posaçëm, e cila e gjeti fajtor për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Dako u akuzua nga SPAK për shpërdorim detyre ne dy episode, i pari lidhur me lidhur me miratimin e lejes së ndërtimit në favor të një shoqërie, ku ai dhe vartësit e tij përpiluan dokumentet dy vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe banorët kishin hyrë në apartamentet e tyre për të banuar.
Episodi i dytë lidhet me një procedurë prokurimi, për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”.
Prokuroria e Posaçme thotë se komisioni i ngritur me urdhër të Dakos, ka kryer gabim llogaritjen e fondit limit, gati 10 herë më shumë sesa vlera që duhet të llogaritej në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave.