Këshilli Bashkiak i Tiranës do të mblidhet sot për të shqyrtuar propozimin për shkarkimin e kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj, i cili ndodhet në burg prej muajit shkurt.
Kërkesa mbështetet në nenin 62 të ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore”, ku parashikohet shkarkimi i kryebashkiakut nëse ai nuk paraqitet në detyrë për tre muaj rresht.
Sipas këshilltarëve, Tirana është pa një drejtues të zgjedhur dhe ka nevojë për një kryetar aktiv.
Pas komisionit, në orën 16:00, do të mblidhet Këshilli Bashkiak për të marrë vendimin final.
Nuk dihet ende nëse Veliaj do të marrë leje për të qenë i pranishëm në mbledhje, por i është lënë mundësia që të dërgojë një qëndrim me shkrim. PD ka kërkuar zbatimin e procedurës dhe të drejtën që Veliaj të dëgjohet.
Nëse vendimi miratohet, ai i kalon Këshillit të Ministrave për miratim, dhe më pas Presidentit të Republikës, i cili duhet të caktojë datën e zgjedhjeve të parakohshme brenda 45 ditësh.
Veliaj ka të drejtë ta kundërshtojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese, çka do të pezullonte përkohësisht zbatimin e tij.