Në Serbi persona të dyshuar ruse po trajnojnë qytetarë nga Moldavia për të nxitur “trazira masive” para zgjedhjeve parlamentare që mbahen këtë fundjavë.
Kjo është akuza që autoritetet në Moldavi i bëjnë Beogradit zyrtare, i cili sipas tyre është në dijeni të këtij aktiviteti.
Më 22 shtator, autoritetet moldaviane kanë kryer 250 bastisje në lokacione të ndryshme dhe kanë arrestuar dhjetëra persona si pjesë e një hetimi lidhur me një plan të dyshuar dhe “të koordinuar nga Federata Ruse përmes elementëve kriminale”.
Ata thanë se shumica e të dyshuarve ishin “trajnuar” në Serbi. Deri më tani, Serbia as nuk e ka mohuar e as pranuar këtë pretendim.
Kjo është hera e dytë që autoritetet e Moldavisë pretendojnë se Serbia është “mikpritëse” e qytetarëve moldavianë, të cilët, nën patronazhin e strukturave ruse, trajnohen për të nxitur trazira në Moldavi.
Hera e parë kur u bën këto pretendime ishte para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe referendumit në tetor të vitit 2024, kur Bosnja dhe Hercegovina po ashtu u përmend.
Komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, deklaroi se Komisioni Evropian është në dijeni për përpjekjet e Rusisë për të ndikuar në zgjedhjet parlamentare në Moldavi përmes blerjes së votave dhe metodave të tjera.
Zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 28 shtator në Moldavi mund të jenë vendimtare për përpjekjet e shtetit për anëtarësim në BE. Autoritetet moldaviane pretendojnë se Moska po përpiqet ta pengojë rrugën evropiane përmes taktikave si dezinformimi, organizmi i trazirave masive dhe blerjes së votave. Moska vazhdimisht ka mohuar se ndërhyn në çështjet e brendshme të Moldavisë.