Home / ⁠Politike / Bardhi publikon shkresën: Afera e Belinda Ballukut, zyrtarisht nën hetim nga SPAK

Bardhi publikon shkresën: Afera e Belinda Ballukut, zyrtarisht nën hetim nga SPAK

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka bërë publike një shkresë të SPAK-ut, ku konfirmohet regjistrimi i procedimit penal ndaj ministres Belinda Balluku.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se po mbron Ballukun, duke e promovuar dhe duke e emëruar drejtuese politike të Tiranës.

Sipas tij, mbajtja e Ballukut në qeveri dhe ngritja e njerëzve të saj në poste kyçe është një mënyrë për të ngritur “një mburojë pandëshkueshmërie”.

Bardhi theksoi se tani është radha e prokurorëve të SPAK për të treguar nëse do ta thyejnë këtë mburojë apo do të nënshtrohen ndaj presioneve dhe kërcënimeve politike.

Postimi i plotë:

Impianti fotovoltatik në Digën e Zadejës me vlerë 8 milionë euro është një aferë korruptive për të cilën kam bërë kallëzim penal dhe SPAK ka regjistruar zyrtarisht procedimin penal nr. 226/2024. Ky procedim është i katërti në rradhë që regjistrohet për Belinda Ballukun, krahas procedimeve penale për tunelin e Llogarasë, shitblerjen e energjisë nga KESH sh.a. dhe dy “tigrat” e Vlorës.

Pas Erion Veliajt, tashmë i shkarkuar nga detyra e kryetarit të Bashkisë Tiranë, i arrestuar dhe i pandehur për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të ardhurash, Edi Rama ia ka besuar drejtimin politik të Tiranës një tjetër simboli të korrupsionit të lartë, shpërdorimit të detyrës dhe pasurimit të paligjshëm. Korrupsioni, abuzimi dhe paligjshëmëria janë oferta e vetme e Edi Ramës për qytetarët e Tiranës, njësoj sikur ai vetë kur ishte kryetar bashkie.

Mbajtja e Belinda Ballukut në qeveri, promovimi i njerëzve të saj në pushtet dhe së fundmi emërimi si drejtuese politike e Tiranës, e shoqëruar me kërcënime të drejtpërdrejta të prokurorëve nga grupe kriminale, ka për qëllim të ndërtojë një mburojë pandëshkueshmërie rreth saj. Tashmë i takon prokurorëve të SPAK të dëshmojnë nëse kanë forcën ta thyejnë këtë mburojë dhe të ndëshkojnë aferat korruptive të Belinda Ballukut dhe klanit të saj. Në të kundërt, prokurorët do të duhet të pranojnë se mburoja politike dhe kërcënimet kanë funksionuar, dhe ata janë nënshtruar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *