Bota e futbollit është tronditur nga lajmi i hidhur për ndarjen nga jeta të Billy Vigar, ish-sulmues i akademisë së Arsenalit, në moshën 21-vjeçare.
Vigar pësoi një dëmtim të rëndë në tru gjatë ndeshjes së fundjavës mes Chichester City dhe Wingate & Finchley, në kategoritë e ulëta të futbollit anglez.
Në minutën e 13-të, ai u përplas me një mur betoni pranë fushës, duke kërkuar menjëherë ndërhyrjen e stafit mjekësor.
Paraqitja e menjëhershme stafit mjekësor dhe transferimi me helikopter drejt një spitali në Londër nuk mjaftuan.
Edhe pse iu nënshtrua një ndërhyrjeje urgjente të martën, Vigar ndërroi jetë sot.
Familja e tij deklaroi me dhimbje: “Dëmtimi rezultoi shumë i rëndë për t’u përballuar… Familja është e shkatërruar që kjo ndodhi teksa ai po luante sportin që dashuronte”.
Edhe klubi Chichester City publikoi një njoftim zyrtar: “Me pikëllim të madh konfirmojmë ndarjen nga jeta të Billy Vigar. Kërkojmë që privatësia e familjes së tij të respektohet në këto momente të vështira”.
I rritur në akademinë e Hale End, Vigar u dallua në radhët e të rinjve të Arsenalit, duke luajtur për ekipet U18 dhe U21, përpara se të largohej në vitin 2024 pa debutuar me skuadrën e parë.