Luciano Spalletti ka pranuar se ende nuk e ka kaluar plotësisht shkarkimin nga posti i trajnerit të Italisë.
66-vjeçari mori drejtimin e “Azzurrëve” në shtator 2023, i çoi në Euro 2024, por u shkarkua në qershor 2025, pas fillimit zhgënjyes në kualifikueset e Botërorit 2026 me humbjen 0-3 ndaj Norvegjisë.
Duke folur për gjendjen e tij aktuale, Spalletti u shpreh se Italia ende po i rri në mendje.
“Për momentin, përvoja ime me Italinë ende më rri në mendje. Nuk kam provuar ta harroj; duhet ta pranojmë përvojën dhe gjithçka që ajo sjell.
Gjërat nuk shkuan ashtu siç doja, por dhashë gjithçka nga vetja. Tani më duhet pak kohë për t’u pajtuar me këtë dhimbje, e më pas do të nis përsëri”.
Ai shtoi se shkarkimi nuk ishte zgjedhja e tij.
“Nëse nuk doja të vazhdoja, do të largohesha vetë. Por unë u shkarkova”.
Spalletti, i cili njihet për sukseset e tij në Serie A, duket se po kërkon kohë për reflektim përpara se të nisë një aventurë të re në stol.