Home / OP-ED / Opozita që vrapon pas fantazive të Ramës, dhe harron realitetin e shqiptarëve

Opozita që vrapon pas fantazive të Ramës, dhe harron realitetin e shqiptarëve

Edi Rama shpiku “Diellën”, një ministre virtuale, të parën në botë, një fantazmë në botën dixhitale, ndërsa Shqipëria reale mbetet pa ilaçe në spitale, pa pajisje në shëndetësi, me arsim të shembur, pensionistë që nuk blejnë dot bukën, dhe me një popull që ikën çdo ditë nga vendi.

Në çdo vend normal, një lajm i tillë do të ishte marrë me humor të zi: një qeveri që nuk zgjidh dot as gjërat më bazike, shpik ministra imagjinarë. Por në Shqipëri, absurdi bëhet politikë ditore. Dhe ajo që e bën më tragjike, është fakti se opozita, në vend që ta shpërfillte këtë lojë propagandistike dhe të mbrojë hallet reale të qytetarëve, rendet pas Ramës, duke i bërë jehonë asaj që ai kërkon më shumë: të shpërqendrojë vëmendjen.

Ky është thelbi i problemit të opozitës shqiptare: mungesa e një axhende. Prej vitesh, ajo duket se ekziston vetëm në funksion të Ramës. Ai hedh një shashkë, opozita e kap. Ai shpik një term, opozita e përsërit. Ai prodhon një spektakël, opozita komenton spektaklin.

Ndërkohë, realiteti është shumë më i rëndë se çdo “shpikje virtuale”:

Shëndetësia është kthyer në një makth ku pacientët sorollaten mes mungesës së ilaçeve, pajisjeve. Mes korrupsionit dhe babëzisë.

Arsimi po falimenton, me shkolla të varfra, me universitete që prodhojnë diploma, jo dije.

Pensionet janë turpi i një shteti që e quan veten europian: të moshuarit shqiptarë mezi ushqehen, mezi blejnë ilaçe.

Shpopullimi ka marrë përmasa të frikshme: çdo ditë ikin nga vendi dhjetëra të rinj e familje, sepse këtu nuk shohin asnjë të ardhme.

Kostoja e jetesës është e papërballueshme: qira, ushqime, karburant, gjithçka shkon vetëm lart, ndërsa rrogat mbeten në vend.

Por si arrin Rama ta dominojë diskursin publik me një ministre virtuale? Shumë thjesht: ua ka ndaluar të tijve të dalin në media. Ministrat e qeverisë nuk shihen, deputetët socialistë nuk flasin. Kështu, hapësira publike lihet bosh, për t’u mbushur me përfaqësues të opozitës që përballen me analistë (disa prej të cilëve paguhen direkt apo indirekt nga pushteti). Dhe çfarë ndodh në këto studio? Diskutohet pafund për “Diellën”, për konfliktin që ajo prodhon, për shashkën që hedh Rama. Pra, ai e ka ngritur terrenin në mënyrë të tillë që edhe kur flet opozita, në fakt i shërben propagandës së tij.

Nëse opozita nuk del nga ky kurth, nëse nuk ngre kokën dhe nuk vendos të flasë e të luftojë vetëm mbi realitetin e shqiptarëve, atëherë ajo do të mbetet thjesht një komentatore e zbehtë e fantazive të Ramës. Dhe kështu, opozita jo vetëm që nuk ofron shpresë, por bëhet vetë pjesë e zhgënjimit kombëtar.

Shqiptarët nuk kanë nevojë për një opozitë që vrapon pas “Diellës” virtuale. Shqiptarët kanë nevojë për një opozitë që të luftojë për “Diellin” real të jetës së tyre: një vend ku të jetojnë me dinjitet, ku fëmijët të shohin të ardhme, ku të moshuarit të mos vuajnë urinë, dhe ku spitali nuk të kthen mbrapsht sepse s’ka ilaçe.

Opozita që nuk krijon axhendën e saj, është një opozitë që s’do të ketë kurrë ardhmëri. Dhe një vend pa opozitë të vërtetë, është një vend pa shpresë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *