Duke ndjekur shembullin e presidentit amerikan Donald Trump, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka ndërmarrë masa shtypëse ndaj lëvizjes së majtë Antifa, duke e shpallur atë si organizatë terroriste.
Qeveria hungareze publikoi dje një listë të përditësuar të organizatave dhe individëve që klasifikohen si “terroristë”.
Personat dhe grupet që përfshihen në këtë listë përballen me masa ndëshkuese si: bllokim të pasurive dhe burimeve financiare, ndalim ose kufizime në transaksione ekonomike, si dhe deportime apo ndalim hyrjeje në vend.
Fillimisht, autoritetet në Budapest përfshinë në listë vetëm dy entitete: një “organizatë Antifa” (e papërcaktuar konkretisht) dhe një grup ekstremist të majtë të njohur në Gjermani si Hammerbande.
Prokuroria Federale e Gjermanisë ka akuzuar anëtarë të Hammerbande për pjesëmarrje në sulme ndaj ekstremistëve të djathtë gjatë incidenteve që ndodhën në Budapest në shkurt të vitit 2023.
“Është koha që Hungaria të klasifikojë organizata si Antifa si terroriste, duke ndjekur shembullin e SHBA-së”, kishte deklaruar një javë më parë kryeministri Orban në radiotelevizionin shtetëror hungarez, duke iu referuar haptazi aleatit të tij politik, Donald Trump.
Trump, nga ana tjetër, nënshkroi të hënën një urdhër ekzekutiv përmes të cilit shpall Antifa si organizatë terroriste, vetëm një ditë pas ceremonisë përkujtimore në Arizona për aktivistin ultrakonservator të vrarë, Charlie Kirk.
Megjithatë, ekspertë ligjorë kanë theksuar se Trump nuk ka bazë ligjore për të shpallur një lëvizje të brendshme si organizatë terroriste, pasi ligji amerikan e lejon këtë vetëm për grupe të huaja.