Home / Botë / Kritikoi Trumpin në mes të New Yorkut, SHBA i anulon vizën presidentit të Kolumbisë

Kritikoi Trumpin në mes të New Yorkut, SHBA i anulon vizën presidentit të Kolumbisë

Departamenti Amerikan i Shtetit ka marrë vendimin për të anuluar vizën e presidentit të Kolumbisë, Gustavo Petro, si përgjigje ndaj deklaratave të tij gjatë vizitës në New York për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Gjatë qëndrimit në SHBA, Petro iu bashkua një proteste pro-palestineze në rrugët e New York-ut, ku mbajti një fjalim përmes një megafoni në gjuhën spanjolle, të cilin e përktheu bashkëpunëtori i tij.

Ai u bëri thirrje vendeve të botës të krijojnë një ushtri “më të madhe se ajo e Shteteve të Bashkuara”, ndërsa iu drejtua edhe ushtarëve amerikanë me fjalë të drejtpërdrejta: Që këtu nga New York-u, i bëj thirrje të gjithë ushtarëve të Ushtrisë së SHBA-ve: mos drejtoni armët kundër njerëzimit. Mos dëgjoni urdhrin e Trump-it! Dëgjoni urdhrin e njerëzimit!

Këto deklarata kanë nxitur reagimin e menjëhershëm të administratës amerikane, e cila në një njoftim zyrtar deklaroi: Presidenti kolumbian Gustavo Petro sot doli në rrugët e New York-ut duke u bërë thirrje ushtarëve amerikanë të mos zbatojnë urdhrat dhe duke nxitur dhunë.

Për shkak të sjelljes së tij të papërgjegjshme dhe provokuese, vendosëm të anulojmë vizën e tij.

Mediat kolumbiane, duke cituar burime të Agence France-Presse, raportojnë se Petro është kthyer në Bogota të premten në mbrëmje, pas zhvillimeve të fundit.

Ky përshkallëzim ndodh në një kohë kur marrëdhëniet mes Kolumbisë dhe administratës amerikane, veçanërisht asaj të ish-presidentit Trump, janë tensionuar që prej ardhjes në pushtet të Petros, i pari president i majtë në historinë e vendit.

Po gjatë kësaj jave, Petro në një intervistë për BBC, kritikoi një sulm ajror të SHBA-ve ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe, duke e quajtur “akt tiranie” dhe duke shprehur shqetësimin se ndër viktimat mund të kenë qenë edhe shtetas kolumbianë.

Nga ana e saj, Uashingtoni e justifikoi operacionin si pjesë të përpjekjeve kundër trafikut të drogës pranë brigjeve të Venezuelës.

Në të njëjtën kohë, autoritetet amerikane kanë refuzuar të lëshojnë viza për presidentin palestinez Mahmoud Abbas dhe rreth 80 zyrtarë të tjerë palestinezë, duke i përjashtuar kështu nga pjesëmarrja në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *