Barcelona shpreson të vazhdojë serinë e fitoreve ndaj Real Sociedad, të cilët do t’i presë të dielën pasdite në “Estadi Olimpic Lluis Companys”.
Në prag të kësaj ndeshjeje, trajneri Hansi Flick foli për mediat në një konferencë për shtyp.
Sipas “Diario AS”, Flick u ndal te sfida ndaj Real Sociedadit, ndaj së cilës është përqendruar plotësisht, pavarësisht përballjes së madhe që e pret Barcelonën në Ligën e Kampionëve ndaj kampionëve në fuqi të Europës, Paris Saint-Germain.
“Ata kanë një ide të qartë loje. Kanë sulmues fantastikë dhe disa lojtarë teknikë. Është një mundësi e mirë për të treguar cilësinë tone”, ka thënë gjermani fillimisht.
Flick gjithashtu u pyet për situatën e Lamine Yamal, i cili është shpallur i gatshëm për ndeshjen ndaj Real Sociedad.
18-vjeçari ka pak gjasa të nisë si titullar për shkak të mungesës së ritmit të duhur, megjithatë do të aktivizohet për disa minuta me qëllim që të rikthehet në formë për sfidën ndaj PSG-së.
“Ai do të jetë në skuadër nesër dhe do të marrë disa minuta. Nuk kam ndjesinë që mund të pësojë ndonjë rikthim të dëmtimit, edhe pse askush nuk mund ta dijë me siguri. Është momenti i duhur për t’u rikthyer”.
Barcelona konsiderohet favorite për të kaluar Sociedadin, e cila mori fitoren e parë të sezonit vetëm në mesjavë ndaj Mallorcës.
Megjithatë, Flick nuk do ta marrë ndeshjen si të lehtë, një qasje që pritet nga një profesionist i nivelit të tij, edhe me ndeshjen vendimtare ndaj PSG-së që po afrohet.