Home / ⁠Kryesore / Vrasja e biznesmenit italian, policia e Gjirokastrës liron për mungesë provash personat e shoqëruar

Vrasja e biznesmenit italian, policia e Gjirokastrës liron për mungesë provash personat e shoqëruar

Policia e Gjirokastrës ka liruar të gjithë personat e shoqëruar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Salari të Tepelenës, ku mbeti i vrarë biznesmeni italian Edoardo Sarchi, 44 vjeç.

Mes të liruarve janë edhe pjesëtarë të familjes Barçe, të cilët u mbajtën disa orë nën hetim. Burime jozyrtare bëjnë me dije se mungesa e provave çoi në vendimin për lirimin e tyre.

Sipas të njëjtave burime, dyshohet se është një person i jashtëm ai që ka qëlluar në drejtim të dy automjeteve, duke shkaktuar vrasjen. Ky person mbetet ende në kërkim nga policia.

Dëshmitë e të shoqëruarve dhe personave të pranishëm në vendngjarje kanë ndihmuar në zbardhjen e disa rrethanave të krimit, i cili tronditi opinionin publik dhe ngriti disa pista hetimi.

Ngjarja ndodhi pas mesnatës së të premtes, në një zonë të quajtur “Dilan”, midis fshatrave Nivicë dhe Salari. Trupi i pajetë i Sarchit u gjet me një plumb në kokë, ndërsa ai thuhej se ndodhej për gjah së bashku me katër persona të tjerë.

Mes tyre ishte ortaku i tij në biznes, Eqrem Braçi, si dhe dy djemtë e këtij të fundit, Gazmenti dhe Danieli. Të tre u shoqëruan nga policia për të dhënë dëshmitë, ndërsa identiteti i personit të katërt mbetet ende i paqartë.

Viktima, Edoardo Sarchi, jetonte dhe punonte në Shqipëri prej më shumë se 20 vitesh, ku drejtonte një fabrikë të madhe tullash në Tiranë.

Policia pritet të dalë sot me një komunikatë të plotë për të sqaruar detaje të tjera mbi rrethanat e ngjarjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *