Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë procedimin penal nr. 15 të vitit 2025, në ngarkim të Kryetares së Bashkisë Tropojë, Zyra Islamaj, dhe ndërtuesit Rrok Gegaj.
Sipas SPAK, Islamaj akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259, paragrafi i dytë i Kodit Penal. Ndërsa Gegaj do të gjykohet për “Korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, sipas nenit 244, paragrafi i dytë të Kodit Penal.
Hetimet kanë zbuluar se kryebashkiakja Islamaj ka ndërhyrë në një procedurë tenderimi, duke tentuar të favorizojë ndërtimin e një ure pranë banesës së motrës së saj. Ajo dyshohet se ka planifikuar të angazhojë edhe teknikun e mirëmbajtjes së rrugëve të Bashkisë Tropojë për të ndihmuar ndërtuesin. Nga ana e tij, Gegaj ka pranuar se ndërtimi i urës nuk ka qenë pjesë e procedurës së tenderimit dhe se e kishte planifikuar si një “dhuratë” për kryebashkiaken.
SPAK bën me dije se procedimi penal nisi mbi bazën e një kallëzimi të ardhur më 8 janar 2025 nga Partia Demokratike, i mbështetur mbi një denoncim të publikuar në një emision televiziv investigativ në nëntor 2024.