Hulumtimet tregojnë se një mëngjes i pasur me proteina ndihmon të qëndrojmë të ngopur dhe të kënaqur për më tepër gjatë ditës.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se karbohidratet dhe yndyrnat duhen lënë pas dore.
Sekreti është zgjedhja e duhur dhe konsumimi i tyre me mençuri.
Për këtë çështje foli Androniki Naska, Profesoreshë e Higjienës dhe Epidemiologjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Kombëtar të Athinës.
Proteina dhe karbohidratet, një kombinim i domosdoshëm
Sipas Naskës, mëngjesi duhet të përfshijë një burim proteinash shtazore si vezët, qumështi, djathi apo kosi, ose edhe proteina bimore përmes bukës integrale, drithërave, arrave apo farave.
Nga ana tjetër, karbohidratet janë të nevojshme për energji, sidomos pas orëve të gjata të gjumit. Rekomandohet që ato të vijnë nga fruta të freskëta, lëngje natyrale apo mjaltë.
Përfshirja e perimeve në mëngjes, si domate, speca apo sallata jeshile, është gjithashtu një mënyrë e mirë për të rritur marrjen e tyre ditore.
Kujdes me yndyrat
Ekspertja këshillon shmangien e burimeve të yndyrave shtazore si gjalpi apo prerjet e ftohta, të cilat përveç yndyrës së lartë lidhen edhe me rrezikun e kancerit të zorrës së trashë.
Përkundrazi, rekomandohet që yndyrat të merren nga burime bimore si ullinjtë, vaji i ullirit, arrat, farat dhe tahini.
Ëmbëlsira apo produkte të gatshme?
Shumë njerëz zgjedhin mëngjes të shpejtë si byrek me djathë apo kroasan me çokollatë. Por, sipas Naskës, këto produkte kanë përmbajtje të lartë kalorike dhe shpesh përmbajnë yndyra trans, të cilat duhen kufizuar sa më shumë.
Zgjidhja? Pjesë të vogla dhe preferencë për receta tradicionale të përgatitura me vaj ulliri, si për shembull buka me rrush të thatë.