Interi do të zhvillojë një test ndërkombëtar gjatë pushimit të kombëtareve. Më 10 tetor, në orën 18:00, zikaltrit do të përballen me Atletico Madridin në një ndeshje miqësore që do të luhet në Bengazi të Libisë.
Takimi është organizuar me mbështetjen e Libya Development and Reconstruction Fund (FDRL) dhe do të zhvillohet në stadiumin e rinovuar ‘Benghazi International Stadium’. Përballja do të ketë vlerë simbolike, pasi do të caktojë fituesin e trofeut Reconstruction Cup – FDRL Cup.
Ky duel shihet edhe si një paralajmërim i përballjes së madhe që i pret të dyja skuadrat në Champions League, më 26 nëntor në Madrid, në ndeshjen e pestë të fazës së ligës.
Organizimi i këtij eventi është konsideruar gjithashtu si një hap i rëndësishëm për rikthimin e Libisë në hartën ndërkombëtare të sportit, pas rinovimit të infrastrukturës sportive në vend.