Home / ⁠Politike / Florjan Binaj shpall kandidaturën për Kryetar Bashkie të Tiranës: Të majtë e të djathtë të më bashkohen

Florjan Binaj shpall kandidaturën për Kryetar Bashkie të Tiranës: Të majtë e të djathtë të më bashkohen

Aktori i njohur dhe aktivisti i shoqërisë civile, Florjan Binaj, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për Kryetar të Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet e pjesshme që do të mbahen më 9 nëntor. Në një deklaratë publike të shpërndarë në rrjetet sociale, ai e cilëson këtë një nismë qytetare, të pavarur nga partitë politike dhe të fokusuar tek nevojat reale të kryeqytetasve.

“Na duhet një drejtues qytetar, i zgjedhur nga qytetarët, për qytetarët. Asnjë nga ne nuk mund të presë edhe 34 vite të tjera për të parë ndryshimin,” u shpreh Binaj, duke theksuar se kandidatura e tij synon bashkimin e qytetarëve për një qëllim të përbashkët,  përmirësimin e jetës në Tiranë dhe rikthimin e besimit tek institucioni i bashkisë.

Aktori i njohur fton qytetarët, intelektualët, si dhe partitë politike që “duan realisht ndryshimin”, të mbështesin nismën e tij, pavarësisht bindjeve apo ngjyrave politike. “Kryeqyteti nuk mund t’i shërbejë vetëm palës politike që e drejton,” shkruan ai.

Binaj, i cili prej 22 vitesh është i përfshirë në çështje me interes publik, deklaron se synon ta kthejë Bashkinë e Tiranës në një institucion në shërbim të komunitetit. Ai hyn në garë përballë Ogerta Manastirliut, kandidates së Partisë Socialiste, dhe Arlind Qorit nga Lëvizja Bashkë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *