Home / OP-ED / Opozita përballë pushtetit

Opozita përballë pushtetit

Nga Ilir Kalemaj

Shpesh krijohen premisa të rreme mbi të cilat ngrihet një ligjërim kallp politik dhe mandej transmetohet përmes mediumeve afër pushtetit si e vërteta e kulluar. Fjala bie, shpesh artikulohet që opozita është e përçarë, por edhe që nuk ka kurrfarë strategjie, apo që objektivat janë tërësisht të paaritshëm, apo edhe teza të rrezikshme për një shoqëri të lirë dhe demokracinë në vetvete kur hidhen shashka të tilla si PD-së i ka ardhur fundi politik. Madje duke shtuar dhe fjalinë më të kotë në ligjërimin publik: kështu ka ndodhur dhe në botë.

Në fakt duke ngritur premisa fallco apo me gjysëm të vërteta, synohet të dekurajohet kundërshtari politik, të cilit duke i rekrutuar dhe figura apo figurina të dorës së dytë, të demotivohen akoma më shumë në të ardhmen për të ndërtuar aksion politik dhe njëherazi si bonus i shtuar, të dekurajohet populli opozitar që gjërat mund të ndryshojnë ndonjëherë në këtë vend. Përgjithësisht synohet të jepet mesazhi “gjithë derrat një turi kanë”.

Njëkohësisht dhe paradoksalisht thuhet dhe shkruhet që opozita kontrolloka 90 përqind të mediave sepse ish-drejtues apo ish-deputetë të saj kanë përfunduar drejtor të iks apo ypsilon medie apo sepse në ekrane dominojnë personalitete të opozitës. Por a qëndrojnë këto hipoteza? A janë vërtetë të ngjashëm palët politike, a është opozita koherente në aksionin e saj opozitar, a është ende ende e përçarë dhe pa strategji dhe mbi të gjitha a ka shpresë për ta ndryshuar këtë vend?

Së pari në lidhje me artikulimin e tezave kryesore të opozitës. Po të shohim fjalimet në seancë plenare të parlamentit të deputetëve opozitarë në katër vitet e fundit, prononcimet në konferencat për shtyp, debatet televizive ku kanë marrë pjesë apo çdolloj interviste na del që tezat e rëndësisë absolute të zgjedhjeve të pakapura nga pushteti, të lira nga influenca e shtet-partisë, pa përdorim të administratës publike, patronazhistëve dhe rentës publike për të korruptuar zgjedhjet dhe deformuar vullnetin e elektoratit kanë qenë dhe qëndrojnë ende në artikulimin publik të opozitës.

Paralelisht me të, opozita ka pasur dhe vijon të ketë si kërkesë themeltare të saj krijimin e një qeverie kalimtare e cila do të mundësonte krahas të tjerave, krijimin e një klime besimi, luftën ndaj krimit dhe korrupsionit dhe parave të pista që deformojnë rezultatin zgjedhor, ndryshimet e nevojshme në kodin penal për të sanksionuar dënime të ashpra për tjetërsimin e vullnetit të zgjedhësve dhe së fundmi nevojën për një sistem të ri dhe të qëndrueshëm elektoral i cili do të rriste ndjeshëm cilësinë e përfaqësimit politik dhe do të korrektonte defiçensat demokratike të sistemit aktual.

Por para së gjithash për të krijuar një klimë besimi në të cilën do të zhvilloheshin zgjedhjet e ardhshme, duke nisur me këto lokalet e pjesshme në gjashtë bashki. Ndonëse për bashkinë Tiranë pritet fjala e Gjykatës Kushtetuese dhe mund të jetë shkak për një konflikt të ri dhe të lodhshëm politik dhe bllokim të panevojshëm institucional. Kjo dhe falë një presidenti që në vend të ihste mbi palët është kapur fort nën njërën palë, duke palosur kësisoj dhe kushtetutën të cilës i bëri një atentat të panevojshëm.

Njëherazi opozita në tërësi ka artikuluar nevojën për ndryshime kushtetuese dhe ligjore që do të rrisnin cilësinë e përfaqësimit dhe kulturën e ndëshkueshmërisë së krimit dhe korrupsionit, vençarisht kur krijon lidhje të shkurtra me politikën. Gjithashtu, ka ngritur pandërprerë shqetësimin dhe thirrjen për depolitizimin e administratës publike dhe mospërdorimin e prerë të saj në fushata elektorale, apo një ligj i dakordësuar për ta bërë transparent dhe të besueshëm rregullimin e financimit të partive politike etj.

Kjo dakordësi që kërkon liderë të përgjegjshëm dhe vizionarë, do të shmangte pazaret afatshkurtra kulisash që do të riprodhonin krizën dhe na fusnin në një qerthull vicioz në vend që të jepnin zgjidhje afatgjatë. Nëse opozita do t’i artikulojë akoma më fort këto të fundit, mendoj se do të arrijë të ketë dhe të ruajë një epërsi morale që mund ta shfrytëzojë në favorin e saj elektoral në rast se krijohen kushtet për rregulla të barabarta loje, ku topin mos ta shkelmojë vetëm ai që e ka aktualisht dhe penalltinë ta bëjë po vetë.

Nga ana tjetër, që faktori ndërkombëtar është më i interesuar në stabilitokraci se sa në kultivimin e kredenciale demokratikë nëse i vëmë në peshore, kjo nuk do mend, as kalem. Në fakt është një nga tezat më të artikuluara në literaturën e tranzitologjisë vençarisht për vendet e Ballkanit Perëndimor përgjatë dekadës së fundit. Kjo deri tani ka favorizuar partinë në pushtet por duket se erërat e ftohta që fryjnë nga Washingtoni e kanë nervozuar kryeministrin deri në atë pikë sa të bëjë shaka pa kripë me regji të parapërgatitur apo thjesht reagim emocional i cili pritet të ketë kostot e veta.

Gjithsesi për t’u kthyer te zgjedhjet, duke qenë se do të kemi për një muaj ato të tjera, zgjedhjet janë pjesë e funksionimit normal të një demokracie por shpesh për shkak të miopisë politike, nuk kuptohet që janë gjithashtu një instrument i rëndësishëm i stabilitetit të një vendi. Që Shqipëria të ketë stabilitet afatgjatë duhet të dijë të organizojë zgjedhje të lira, të pakapura dhe të painfluencuara, ku vullneti i zgjedhësve mos të deformohet dhe natyrisht mandej të pakontestuara. Vetëm kjo mund ta vejë vendin në binarët e legjimitetit politik dhe rritjes së cilësisë së qeverisjes dhe ndërmarrjes së reformave të qëndrueshme.

Kërkesa e opozitës është të krijohen premisat dhe infrastruktura e nevojshme kushtetuese, ligjore dhe institucionale që të garantohet paprekshmëria e votës, besueshmëria e procesit të votimit, integriteti i administratës publike dhe prerja e lidhjeve të shkurtra krim-politik. Gjithashtu krijimi i një instrumenti realist anti-mafie që do të parandalojë efektivisht pastrimin e parave, të godasë korrupsionin kapilar dhe sistemik dhe mundësisht të rrisë përfaqësimin qytetar në proceset politike, çka është dhe thelbi i demokracisë pjesmarrëse.

Natyrisht sot që opozita është më e unifikuar në aksionin e saj politik sesa vitet e fundit, ka një sinergji më të madhe në drejtim të krijimit të një aksi të gjerë me partitë opozitare duke përfshirë ato të reja të qendrës apo të djathta dhe mbi të gjitha duke u hapur me shoqërinë në përgjithësi për të qenë përfaqësuese sa më e drejtë e shqetësimeve kryesore që kanë shqiptarët sot. Që fatkeqësisht janë të kundërta me ato që paraqesin gjyslykët rozë me të cilët partia në pushtet dhe prijësi i saj përmes mediumeve jo të pakta që kanë në dispozicion.

Natyrisht në këtë betejë të pabarabartë opozita nuk ka me vete as rrjetin e mirëpaguar të patronazhistëve që shërbejnë shpesh si reparte paramilitare në rast zgjedhjesh, as oligarkët që kanë martuar prej kohësh interesat me pushtetin, as pronarët e mediave kryesore që janë bërë befas investitorë strategjikë, as kontrollojnë narrativën kryesore, as nuk kanë fuqi të blejnë si në merkato eksponentë të mazhorancës. Ky është fakt, të tjerat janë trillim.

Ashtu sikundër qeverisja 2005-2013 mund të ketë pasur një mijë e një kusure, helbete si çdo qeveri e një vendi në tranzicion, por nuk ka pasur kurrë një përqëndrim të tillë pushteti vetëm në një palë dorë, apo në dy nëse konsiderojmë dhe numrin dy të plotfuqishëm të partisë dhe qeverisë. Gjithashtu qeveritë e para 2013-ës, përfshirë ato të PS-së, nuk kanë pasur ministra anonimë por figura politike dhe personalitete të ardhura nga shoqëria civile. Ka pasur një sistem deri diku të qartë karriere partiake dhe politike dhe jo emërime sipas shijes personale apo interesave okulte. Kanë prodhuar politikë dhe nuk kanë censuruar mediat dhe zërat e lirë.

Normalisht opozita nuk kërkon dhe as nuk duhet kurrsesi të pretendojë pushtet në tavolinë apo rrugë të shkurtra përmes kulisash që sjell rotacion të paqëndrueshëm pushteti. Opozita duhet të kontestojë parimisht, të reflektojë thellësisht, të krijojë instrumentë të besueshëm qarkullimi elitash mes vedi përpara se ta kërkojë pushtetin për të qeverisur krejt shqiptarët dhe të arrijë të ruajë epërsinë morale në një luftë të pabarabartë. Kjo duke qenë se mazhoranca ka në dorë edhe gurin, edhe arrën. Edhe pushtetin, edhe shtetin.

Opozita nuk është vetëm numra. Mbi të gjitha është frymë dhe si e tillë duhet të dijë të ngjallë shpresë dhe besim se do të dijë të sillet me përgjegjësi dhe vizion. Duke nisur nga zgjedhjet krejt të pabarabarta lokale të pas një muaji, opozita duhet të dijë të ngrihet mbi këto vështirësi rrethanore, të artikulojë qëndrime kurajoze, parimore dhe koherente, të ketë një vizion të mbështetur mbi strategji se ku duhet të jetë në zgjedhjet e ardhshme lokale të 2027-ës që do të jenë dhe testi i parë i mirëfilltë elektoral dhe politik.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *