E hëna shënon një ditë të ngarkuar për jetën parlamentare, pasi në Kuvend do të zhvillohen një sërë mbledhjesh të rëndësishme, që përfshijnë gjashtë komisione dhe Këshillin e Legjislacionit.
Në orën 11:00 pritet të konstituohet Këshilli i Legjislacionit, i cili do të shqyrtojë kërkesën e deputetëve të opozitës për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Në të njëjtën orë, Komisioni për Edukimin dhe Shkencën do të zhvillojë një seancë dëgjimore me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, ku do të diskutohet mbi masat e marra për nisjen e vitit të ri shkollor 2025–2026 në arsimin parauniversitar.
Në orën 11:30, Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme do të shqyrtojë dy projektligje të rëndësishme:
Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së grantit ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Investime, për projektin “Infrastruktura hekurudhore e korridorit VIII, faza I – Shqipëri”;
Si dhe projektligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.
Po në këtë orë, Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale do të zhvillojë një mbledhje të përbashkët me Komisionin për të Drejtat e Njeriut, ku do të prezantohet raporti vjetor i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2024.
Në të njëjtën ditë, Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën do të diskutojë gjithashtu projektligjin për menaxhimin e mbetjeve, në cilësinë e komisionit që jep mendim mbi nismat ligjore.
Ndërkohë, në orën 13:00, Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm do të mbajë një mbledhje të përbashkët me Komisionin për Nismat Qytetare, ku AKEP-i do të paraqesë raportin vjetor për vitin 2024.