Tre ditë nga mbarimi i afatit zyrtar të dorëzimit të dosjeve të kandidatëve për kreun e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, janë mësuar 4 emrat e parë dhe me sa duket të fundit, që do ballafaqojnë CV-të e tyre në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
I pari që ka dorëzuar platformën në KLP dhe tashmë është zyrtare rezuton të jetë prokurori dhe njëherësh shefi i seksionit kundër korrupsionit dhe “Shpërdorimit të detyrës” në SPAK, Klodian Braho.
Ky i fundit ka dorëzuar dokumentat qysh prej ditës së Premte. Ndërsa pritet që sot dhe në dy ditët në vijim të dorëzojnë kandidaturat tre prokurorët e tjerë të SPAK, si Adnand Xholi, i cili aktualisht mban postin e zv/drejtuesit të prokurorisë.
Në vijim të shpalljes së kandidaturës përmes dorëzimit të platformës janë dhe dy prokurorët e tjerë, Elvin Gokaj që shërben pranë seksionit kundër korrupsionit dhe Doloreza Musabelliu që është pjesë e seksionit kundër krimit të organizuar në SPAK.
Aktualisht këta të 4 prokurorët janë kandidatët potencialë, ndërkohë nuk dihet nëse deri në datën 8 Tetor 2025, lista do pasurohet me emra të tjerë kandidatësh.
Për herë të parë në këto zgjedhje për të marrë postin e kreut të SPAK, po garon një prokurore femër, pasi në dy garat e mëparshme kanë dominuar vetëm meshkujt./Syri.net