Në një deklaratë për mediat këtë të hënë, 6 tetor, kreu i grupit parlamementar të Partisë Socialiste, Taulant Balla bëri me dije se do të ngrihet Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore.
“Dua t’ju informoj se grupi parlamentar i PS-së do të institucionalizojë në orën 13:00 dy nisma që kanë të bëjnë me dy komisione, i pari për Komisionin për Reformën Zgjedhore.
Si traditë tanimë, që grupi i PS ka qenë nismëtar për këto komisione në legjislaturë. Uroj të udhëhiqet nga interesi i përbashkët për të përmbyllur më në fund rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, duke sjellë në vëmendje edhe zgjedhjet e fundit ku formacione politike vunë në dyshim cilësinë e punës së këtyre komisioneve. PS ndër vite e ka mbështetur çështjen e depolitizimit”, tha ai.
Po ashtu, bëri me dije se do të ngrihet Komisioni i Posaçëm i Reformës Administrative Territoriale.
“Shpresoj që grupet politike të opozitës të provojnë vakancat në këtë komision. Do u bëj ftesë tre kryetarëve të grupeve të opozitës që të nisim me punën”, tha Balla.
Po a mund të ndahet Shqipëria me rajone, me hartën e re?
“Le t’i lëmë komisionet të bëjnë punën e tyre!”, u përgjigj Balla.