Home / ⁠Sociale / Kush është Florian Binaj, kandidati i mbështetur nga PD për Tiranën

Kush është Florian Binaj, kandidati i mbështetur nga PD për Tiranën

Florjan Binaj shpalli kandidaturën e tij për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Tiranës. Binaj kërkoi mbështetjen e forcave politike dhe qytetarëve, kur tha se Tiranës i duhet një qytetar “i zgjedhur nga qytetarët për qytetarët”.

“Na duhet një drejtues qytetar i zgjedhur nga qytetarët për qytetarët sepse asnjë nga ne nuk mund të presë më edhe 34 vite të tjera. Prandaj kam vendosur, të shpall kandidaturën time për Kryetar Bashkie të Tiranës duke dhënë  gjithë  veten time për të përfaqsuar sa më denjësisht çdo qytetare dhe qytetar, me apo pa parti, elektoratin gri por pa i ndarë njerëzit në krahë, por si të barabartë, sepse asnjë qytet dhe aq më tepër kryeqyteti, nuk mund ti shërbejë vetëm palës politike që e drejton”, deklaroi Binaj në një postim, ku shpalli kandidaturën e tij.

I lindur më 11 Tetor 1985, Binaj është ndër aktorët më të njohur të gjeneratës së re. Ai u njoh për rolin e tij si komedian në Portokalli, e më pas si moderator i emisionit investigativ “Piranjat”, i transmetuar në Syri TV.

Binaj është angazhuar në shumë kauza qytetare siç ishte rritja e çmimeve, ku aktori iu bashkua protestës paqësore në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për disa ditë rresht.

Përveç aktivitetit në media, Binaj është përfshirë në mënyrë të vazhdueshme në nisma të shoqërisë civile, kryesisht në fushën e mjedisit dhe të drejtave qytetare.

Sot, kreu i PD Sali Berisha deklaroi se forca e tij politike do të mbështetë kandidaturën e Binajt për zgjedhjet e pjesshme të Tiranës. Berisha vlerësoi angazhimin e Florian Binajt si një mbështetës i kauzave qytetare.

“PD informon se grupi i mandatuar do u paraqesë aleatëve tanë mendimin dhe sugjerimin që të mbështesim së bashku artistin e mirënjohur, personalitetin e shquar të artit, luftëtarin e paepur të kauzave të qytetarëve shqiptarë, komunikatorin e talentuar, e lindur, zotin Florjan Binaj”, deklaroi Berisha nga selia blu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *