Në lidhje me krimin e rëndë që ndodhi ditën e djeshme në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë, ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja janë arrestuar tre persona, autori i krimit Elvis Shkambi, xhaxhai i tij, Gjon Shkambi dhe punonjësi i sigurisë në gjykatë.
Tre persona janë arrestuar pas vrasjes së gjyqtarit brenda sallës së Gjykatës së Apelit teksa ushtronte detyrën e tij.
Elvis Shkambi qëlloi me tre plumba gjyqtarin pasi mori vendim kundër xhaxhait të tij, i cili prej vitesh ishte në proces gjyqësor për çështje prone. Ai qëlloi me armë edhe ndaj palës kundërshtare në gjyq, babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj.
Duket se gjithçka ishte e mirëmenduar, pasi autori ishte në sallën e gjyqit duke ndjekur seancën për një pronë në Shkodër, ku palë e tretë e interesuar, ishte xhaxhai i tij i pranishëm në sallë, Gjon Shkambi, ndërsa sapo gjyqtari Astrit Kalaja mori vendim në favor të paditësve, i riu hapi zjarr ndaj tij. Tre plumbat rezultuan fatal për gjyqtarin, i cili ndërroi jetë pa shkuar në spital.