Home / Botë / Williams: Thaçi nuk kishte kontroll të plotë mbi negociatat në Rambuje

Williams: Thaçi nuk kishte kontroll të plotë mbi negociatat në Rambuje

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur dëshmia e Paul Williams, i cili ka qenë këshilltar i delegacionit të Kosovës në Rambuje. Ky është dëshmitari i dytë i mbrojtjes në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, të cilët akuzohen për krime të pretenduara të luftës. Mbrojtja e Thaçit tha se dëshmia e Williams do të tregojë që “Thaçi nuk e kishte autoritetin për të nënshkruar marrëveshjen e Rambujesë”.

Dëshmia e tij pritet të zgjas një ditë e gjysmë, mbrojtja e Thaçit ka parashikuar dy orë, ekipet tjera të mbrojtjes së bashku kanë kërkuar dy orë e gjysmë dhe ZPS dy orë e gjysmë.

Avokati i Thaçit, Luka Misetiç tha se dëshmitari Paul Williams ka qenë këshilltar falas për delegacionin kosovar në Rambuje

“Amerikani Paul Williams ka qenë këshilltar falas për delegacionin kosovar në Rambuje në shkurt dhe mars të 1999, ai ka ndihmuar delegacionin për hartimin e propozimit të tyre dhe negociatat në marrëveshjen e Rambujesë. Ai po ashtu ka marrë pjesë në takime me delegacionin kosovar dhe me figura ndërkombëtare dhe diasporën e Kosovës. Williams do të jap dëshmi për procesin e vendimmarrjes të delegacionit si dhe diskutimet që janë bërë për nevojën për demilitarizim dhe transformim të UÇK-së.

Dëshmitari i mbrojtjes, Paul Williams deklaroi se Hashim Thaçi u raportonte komandantëve të zonës dhe se ai kontrollohej nga jashtë. Ai në Dhomat e Specializuara në Hagë tha se gjatë qëndrimit në fshatin Rambuje të delegacionit nga Kosova, Hashim Thaçi kishte “trysni dhe presion ideologjik”.

“Baza për këtë përfundim (se Thaçi kontrollohej nga jashtë…shënim i redaktorit), janë disa faktorë, biseda të shumta përmes thirrjeve telefonike që realizonte Hashim Thaçi me persona të ndryshëm nga jashtë kështjellës. Telefoni i tij binte në mënyrë të vazhdueshme, që shpesh nënkuptonte që atij i duhej ose të dilte jashtë ose të shkonte në një cep të dhomës. Delegacioni i Kosovës ishte në katin përdhese, kështu që mund të dilje lehtësisht në oborrin e kështjellës…Ti mund ta lexoje pak edhe nga gjestikulacioni ose nga paraqitja. Ndonjëherë ke një koklavitje ose një përzierje të aktorëve edhe ka shumë aktorë apo palë të tjera të cilët mua më kanë bërë që shkoj në këtë përfundim. Pra, krijohej përshtypja që dikush ishte në kontroll të negociatave ose në kontroll të pjesshëm të negociatave”, deklaroi ai.

Më tej, ai tha se përshtypja e tij ishte që “Thaçi nuk kishte kontroll të plotë mbi negociatat dhe se ai “përfaqësonte interesat nga jashtë”. Williams tha se e kishte të qartë se Hashim Thaçi ishte “përfaqësues dhe zëri i UÇK-së në atë kështjellë”.

Pjesë nga dëshmia në Hagë:

Williams: Thaçi u raportonte komandantëve të zonës

Misetiç: A ju kujtohet që ju keni vënë re zotëri Thaçi u raportonte në mos u nënshtrohej komandantëve të zonës?

Williams: Po, kështu më kujtohet dhe mua.

Misetiç: Si dolët në këtë konkluzion që ai ju raportonte në mos u nënshtrohej komandantëve të zonës?

Williams: Ata e telefonin, ai e hapte telefonin, bisedonin në telefon për një periudhë të caktuar kohore edhe më pas ai komentonte për procesin, jepte feedback për procesin, prandaj thash që ai u raportonte atyre. Prandaj erdha në këtë përfundim.

Misetiç: Ju flisnit shqip.

Williams: Jo.

Misetiç: Por nga e dinit ju me kë po fliste ai dhe çfarë po thoshte?

Williams: Shpesh, meqë isha në kështjellë, shpesh ju kërkoja kolegëve shqiptarë të Kosovës, ju thosha ‘me kë po flet Hashimi, tërë kohën me kë është në telefon’, më thonin ‘me ekipin e tij, me shqiptarët, kosovarët’ dhe ata vet më kanë thënë që po flet me komandantët lokal.

Misetiç: Ju kujtohet ndonjë person konkret nga delegacioni që ua ka thënë këtë?

Williams: Blerim Shala, Dugi nuk më kujtohet edhe mbiemri, ai madje më ndihmonte për përkthime dhe Edita Tahiri”, u përgjigj Williams.

Avokati i Thaçit, Luka Misetiç u pyet edhe për një udhëtim të Thaçit në Slloveni për të takuar Adem Demaçin, gjatë kohës sa delegacioni kosovar po qëndronte në Rambuje

“U interesova në fakt, e bëra këtë pyetje se si na shërben kjo u thash, si i shërben kjo procesit, dhe përgjigja ishte që ‘ishte e domosdoshme për arsyeje politike dhe kulturore’. Ishte e nevojshme që Hashimi të shkonte në Slloveni dhe të vizitonte Demaçin.

Misetiç: A zbulove pastaj se si lidhej kjo vizitë me Rambujenë, nëse kishte ndonjë lidhje

Williams: Gjatë kohës sa delegacioni kosovar ishte në Rambuje edhe po bënin ecuri, kishte proces për nënshkrimin e marrëveshjes, por ama kishte trysni nga jashtë të cilat i diskutuam më herët sot nga komandantë lokal por gjithashtu kishte presion ideologjik dhe kulturor prej Adem Demaçit, i cili po pengonte progresin e negociatave”, shtoi ai, duke thënë se problemi i Demaçit ishte “pavarësia”.

Gjatë dëshmisë së tij në gjykatë, dëshmitari i dytë i mbrojtjes ka thënë që e ka përpiluar një propozim të delegacionit të Kosovës në Rambuje lidhur me hetimet dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës. Ai theksoi se qëllim i delegacionit ishte që të sigurohen për të marrë angazhim konkret për Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Williams tha se Hashim Thaçi ishte i vetëdijshëm se bashkëpunimi me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë do të përfshinte hetime potenciale të UÇK-së.

Misetiç: Si e shprehi ai pranimin e këtij dokumenti?

Williams: Ai e pranoi në tërësi atë dhe tha po kjo pasqyron atë që na intereson edhe neve, katër pikat këtu.

Misetiç: A ishte Hashim Thaçi i vetëdijshëm se bashkëpunimi me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë do të përfshinte bashkëpunimin TPNJ për çështje dhe hetime potenciale lidhur me UÇK-në?

Williams: Po.

Misetiç: Si e dini këtë?

Williams: Ka pasur arsyeje të ndryshme në të cilën e mbështes përgjigjen time. E para ishte se delegacioni i Kosovës, përfshirë atë që përfaqësonin UÇK-në dhe përfshirë Hashim Thaçin kishin në anën e tyre mundësinë që të shihnin se si ky Tribunal për ish-Jugosllavinë vepronte në kontekstin e Kroacisë dhe Bosnjes, ku Tribunali kishte ngritur aktakuzë për pjesëtarë të këtyre palëve dhe situata faktike ishte e tillë që Tribunali Ndërkombëtar do të kërkonte prova në drejtime të veçanta”, u përgjigj Williams.

Gjatë pyetjeve të mbrojtjes së Thaçit, Williams tha se ai bashkë me Mark Weller, i cili ka qenë këshilltar ligjor ndërkombëtar, e kanë përpiluar propozimin e delegacionit të Kosovës në Rambuje lidhur me hetimet dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës.

Paraprakisht, dëshmitari Paul Williams tha se ka punuar intensivisht me anëtarët e delegacionit gjatë bisedimeve në Rambuje dhe se i ishte kërkuar që të përgatis gjuhë gjithëpërfshirëse “për të siguruar që TPNJ të ishte në gjendje të kishte përgjegjësitë e veta për të zbatuar mandatin e saj”.

Tutje, Williams tha se edhe delegacioni i Kosovës ishte në dijeni që do të përfshinte bashkëpunimin për arrestim dhe transferim në Tribunalin Penal Ndërkombëtar në ish-Jugosllavi të pjesëtarëve të UÇK-së.

Williams: Ju kam shpjeguar delegacionit qartë dhe shprehimisht në gjuhën që më kishin kërkuar të përpiloja

Misetiç: Si e dinin këtë?

Williams: Sepse unë në cilësinë e juristit që punoja për ta ju kam shpjeguar atyre në mënyrë të qartë dhe shprehimisht gjuhën që ata kishin më kërkuar të përpiloja dhe se të bëhej pjesë e procesit të bisedimeve duke ua dorëzuar pastaj grupit kontaktit, gjithashtu edhe për nevoja të një kontrollimi të dyfishtë dhe verifikimit të dyfishtë Fehmi Agani i cili ishte jurist i tyre kryesor për çështje kushtetuese, tha pra që unë do të punoja së bashku me të për tu siguruar që ndërkohë që ne po transmetonim, po kalonim informacionet në mënyrë të drejtpërdrejt pjesëtarëve te delegacionit, që ai së bashku dhe unë do të kishim një komunikim të ndërsjellë të dispozitave që po përgatiteshin”, u përgjigj dëshmitari.

Dëshmitari Paul Williams u pyet edhe për raportet me Veton Surroin , i cili tha se “e njihja goxha mirë në shkurt të vitit 1999, prej asaj kohe në vazhdim unë kam pasur një marrëdhënie shumë të fortë profesionale dhe personale”.

Williams tha ai nuk i kishte thënë asnjëherë që është i kërcënuar nga Hashim Thaçi, kur ishin pjesë e delegacionit në Rambuje.

Misetiç: Në shkurt të 99’tës, a ju ka thënë ndonjëherë zotëri Surroi që është ndjerë i kërcënuar nga Hashim Thaçi?

Williams: Veton Surroi nuk më ka thënë asnjëherë, ose nuk më ka lënë të kuptoj në asnjë mënyrë ose nuk më ka shfaqur asnjë sjellje që do të më bënte mua të besoja që ai ishte i kërcënuar nga Hashim Thaçi apo nga askush tjetër nga delegacioni shqiptar i Kosovës”, u përgjigj Williams.

Mbrojtja e Thaçit, Luka Misetiç gjatë pyetjeve të tij ka paraqitur një dokument ku thuhej se “Thaçi kontrollohej nga jashtë” për çka Williams tha se një gjë të tillë e ka vërejtur gjatë bisedave në Rambuje.

“Doktor Williams po ashtu do të jap dëshmi për komunikimet që ka pasur me të gjithë anëtarët e delegacionit kosovar, mes të cilëve edhe Hashim Thaçi. Konstatimet dhe përshtypjet që ka formuar ky nga këto komunikime, të cilat e ndihmuan për të dalë në përfundimin që Thaçi nuk kishte autoritetin për të nënshkruar marrëveshjen e Rambujesë dhe se i duhej miratimi i komandantëve të zonave për ta bërë këtë”, deklaroi ai.

Gjatë marrjes në pyetje nga avokati i Thaçit, Luka Misetiç tha se ka qenë këshilltar juridik falas për delegacionin e Kosovës në Rambuje dhe se ishte përzgjedhur si këshilltar me propozimin e kryeministrit Bujar Bukoshi.

Dëshmitari i mbrojtjes, Paul Williams tha se ka punuar dy vjet edhe në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe se ka qenë jurist për çështjet evropiane.

Gjatë ditës së sotme ka përfunduar dëshmia e James Rubin, i cili gjatë luftës ka qenë ndihmës-sekretar amerikan i Shtetit. Dëshmia e tij në mbrojtje të ish-presidentit, Hashim Thaçi ka zgjatur tri ditë.

Më pas, procesi gjyqësor do të vazhdojë me dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Bashkë me Thaçin dhe Krasniqin, po gjykohen edhe ish-kryekuvendari Kadri Veseli dhe ish-deputeti Rexhep Selimi. Avokatët e tyre nuk synojnë të paraqesin dëshmi mbrojtëse. Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon ata me krime të pretenduara të luftës. ZPS-ja ka thënë se ata ishin pjesë e “një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.

Në anën tjetër, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Paraqitja e provave të mbrojtjes vjen katër muaj pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar përfundoi me dëshmitarët e saj dhe e mbylli çështjen. Prokuroria solli 125 dëshmitarë në sallë dhe është mbështetur në mbi 130 dëshmi ne shkrim.

Mbrojtja e katërshes së UÇK-së i mohon akuzat dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur strukturë të organizuar komanduese. Aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ishte bërë publike vjeshtën e vitit 2020. Prej atëherë, ata qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Sheveningen të Hagës. Gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023.

Gjyqtarët në Speciale presin që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të paraqesë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *