Në Parkun Antik të Antigonesë vijojnë gërmimet arkeologjike nga një ekip italo-shqiptar, i cili kthehet aty çdo vit për të thelluar studimin e kësaj zone me rëndësi historike.
Sipas arkeologëve italianë, parku përbën interes të veçantë për nga pasuria kulturore dhe historike.
“Kemi dy javë që kemi nisur gërmimet këtu në Antigone nga Universiteti i Maçeratës (Macerata), që e bën këtë prej katër vitesh. Këtë vit po vazhdojmë atë që lamë vitin e kaluar. Kemi përfunduar disa gërmime dhe kemi hapur disa të tjera, të gjitha në zonën e agorasë. Kemi gjetur mure të reja dhe kemi vazhduar të gërmojmë në sektorin VIII”, shprehet një arkeolog italian për Radio Televizionin Shqiptar.
Një tjetër arkeologe italiane tregon se, gërmimet po shkojnë shumë mirë dhe i lejojnë asaj dhe kolegëve të mësojnë çdo ditë gjëra të reja.
Ndërkohë, drejtuesi i parkut, Shkëlqim Guçe, thekson se qëllimi kryesor i këtyre gërmimeve është identifikimi dhe zbulimi i teatrit antik të Antigonesë.
“Është një element i domosdoshëm ky teatër, sepse siç dihet parqet arkeologjike apo qytetet antike kanë pjesët kryesore akropolin, agoranë, nekropolin dhe teatrin. Kështu që teatri i mungon Antigonesë”, thotë Guçe.
Gërmimet pritet të vazhdojnë edhe për dy javë të tjera, ndërsa çdo zbulim i ri do të dokumentohet me kujdes dhe do të shërbejë për pasurimin e njohurive mbi këtë qytet antik.