Home / ⁠Kryesore / Policia sqaron incidentin në Elbasan: Gardisti i SPAK-ut me armë përballë efektivit

Policia sqaron incidentin në Elbasan: Gardisti i SPAK-ut me armë përballë efektivit

Policia e Shtetit ka reaguar pas incidentit të ndodhur dje paradite në Elbasan, ku Mateo Ademi, punonjës i Gardës së Republikës dhe njëherazi shofer i prokurorit të SPAK, Alfred Shehu, ka kërcënuar me armë një efektiv të Policisë Rrugore.

Sipas njoftimit zyrtar, oficeri i policisë rrugore Besmir Likaj, shef sektori i Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Elbasan, ishte duke patrulluar përgjatë segmentit nga rrethi i “1 Majit” deri te rrethi i Postës, në Tiranë. Në këtë moment ai është sinjalizuar nga Ademi që të ndalonte mjetin.

Pasi mjeti u ndalua, Ademi dyshohet se ka përdorur fjalor kërcënues ndaj policit, ndërsa mbante në brez një armë zjarri tip pistoletë, e cila ishte e dukshme, duke krijuar ndjesinë e intimidimit dhe përshkallëzimit të situatës.

Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale shihet se Ademi ishte i veshur me të zeza dhe arma e tij ishte e pambuluar, ndërkohë që oficeri Likaj u distancua nga çdo provokim, duke ruajtur profesionalizmin në ushtrimin e detyrës.

Ngjarja është marrë në hetim nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), e cila po administron të gjitha materialet, përfshirë deklarimet e palëve dhe pamjet filmike. Policia e Shtetit thekson se ligji do të zbatohet ndaj çdo personi, pavarësisht funksionit apo pozicionit.

Njoftimi i Policisë:

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje paradite , ku është përfshirë  Besmir Likaj, Shef Sektori i Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Elbasan dhe shtetasi Mateo Ademi, punonjës i Gardës së Republikës dhe njëherazi shofer i një prokurori të SPAK, sqarojmë si më poshtë:

Punonjësi i policisë rrugore Besmir Likaj ka qenë duke ushtruar patrullim në vijim të detyrës së tij, përgjatë segmentit rrugor nga rrethi i 1 Majit deri te rrethi i Postës, në Tiranë. Në momentin që ai ndodhej pranë rrethit të Postës, është sinjalizuar nga shtetasi Mateo Ademi të ndalonte mjetin.

Oficeri Likaj ka ndaluar mjetin dhe, menjëherë pas kësaj është përballur me një komunikim verbal kërcënues nga ana e Ademit, i cili dyshohet të ketë përdorur fjalor kanosës.

Sipas deklarimeve dhe pamjeve filmike të qarkulluara në rrjetet sociale, Mateo Ademi ishte i veshur me të zeza dhe mbante në brez, në krahun e djathtë, një armë zjarri (pistoletë), e cila ishte e dukshme dhe e pambuluar gjë që ka krijuar ndjesinë e intimidimit dhe përshkallëzimit të situatës.

Nga materiali filmik i publikuar në rrjete sociale dallohet qartë se oficeri Besmir Likaj është distancuar nga çdo sjellje konfliktuale apo provokim, duke ruajtur profesionalizmin në ushtrimin e detyrës së tij.

Ngjarja është në ndjekje nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), e cila ka marrë në administrim të gjithë dokumentacionin përkatës, përfshirë edhe deklaratat e palëve dhe materialin video. Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për transparencë të plotë dhe zbatim të ligjit për çdo person, pavarësisht funksionit apo pozicionit të tij.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *