Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, është prezantuar sot në krye të institucionit. I pranishëm është dhe kryeministri Edi Rama.
Po ashtu, Koçiu ka thirrur në takim dhe vartësit e saj, mes tyre kreun e përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ilir Proda dhe drejtuesit e qarqeve.
Koçiu është e para grua në krye të punëve të brendshme.
Ajo pranoi problematikat e institucionit, të cilin Rama e cilësoi “të prapambetur” dhe që punon me “orare të tjera kohore” nga vendi.
“Janë emergjenca të kohës, janë probleme të drejta dhe unë së bashku me MB, ekipin e saj, do ngrihemi në lartësinë e punës dhe figurës, duke nisur me punonjësit publik, duke nisur nga ata këtu, për integritetin. Për funksione të rëndësishme që janë themelet e shtetit”, pranoi Koçiu.
Ajo i vuri në dukje të pranishmëve se vendi ndodhet në moment të rëndësishëm dhe ndaj detyrat e ngarkuara duheshin realizuar, duke deklaruar publikisht se ato do kryheshin sipas porosive të kreut të qeverisë.
“Duke pasur parasysh edhe momentin ku ndodhet vendi, Europa nuk është iluzion, por realitet i prekshëm, ndaj do çojmë para këto punë që kryeministri na ka ngarkuar dhe legjislacioni na detyron, e t’i çojmë para punët. Kjo ministri duhet të flasë pak dhe të punojë shumë, ndaj duhet të flasim sa më pak e t’i çojmë përpara punët. Të gjithë t’i tregojmë kryeministrit që po do t’ia dalim dhe do t’i kryejmë të gjitha detyrat që na ka ngarkuar”, përfundoi Koçiu fjalën e saj të shkurtër.