Regjisori amerikan Tim Burton dhe aktorja italiane Monica Bellucci njoftuan në një deklaratë dërguar agjencisë AFP se i kanë dhënë fund lidhjes së tyre.
“Me shumë respekt dhe dashuri të ndërsjellë, Monica Bellucci dhe Tim Burton kanë vendosur t’i japin fund lidhjes së tyre”, thuhej në njoftimin e çiftit të famshëm, i cili u bë publik sot.
Burton, i njohur për filmat “Edward Scissorhands” dhe “Sleepy Hollow”, dhe Bellucci, e cila ka luajtur role të spikatura në filma si “Mission Cleopatra” dhe “Irreversible”, u takuan për herë të parë në tetor 2022 në Festivalin Lumière në Lyon, ku aktorja i dorëzoi regjisorit Çmimin Lumière për Arritje Jetësore.
Nga ky takim lindi një lidhje që u shoqërua edhe me një bashkëpunim artistik në filmin “Beetlejuice”, një vazhdim i komedisë së zezë të vitit 1988 të Burton, i cili u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Venecia në vitin 2024.
Në këtë film, Monica Bellucci interpretonte Delores, një krijesë të ligë të ngjashme me Frankenstein-in, që kërkon hakmarrje ndaj ish-burrit të saj, Beetlejuice, të luajtur nga Michael Keaton, ndërsa produksioni pati një sukses të jashtëzakonshëm në kinematë amerikane, duke arkëtuar afro 300 milionë dollarë vetëm në Shtetet e Bashkuara.