Home / Aktualitet / Kosova ngre aktakuza ndaj dy serbëve për krime lufte

Kosova ngre aktakuza ndaj dy serbëve për krime lufte

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë kundër dy të dyshuarve për pjesëmarrje në vrasjen e një civili shqiptar dhe keqtrajtimin e disa të tjerëve gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.

Të pandehurit, të identifikuar vetëm si L.D dhe V.O., akuzohen se në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, kanë marrë pjesë në vrasje, keqtrajtime, arrestime, vjedhje dhe shkatërrime të pasurisë të popullsisë civile të kombësisë shqiptare.

Ata dyshohen se, në cilësinë e zyrtarëve policorë, morën pjesë në një aksion të forcave policore serbe ku u vra një civil shqiptar dhe u keqtrajtuan gjashtë civilë të tjerë shqiptarë më 25 dhe 26 mars 1999, në rrugën “Tahir Efendiu” në Gjakovë.

“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se, të pandehurit, në bashkëkryerje, kishin rrethuar shtëpinë e të dëmtuarit N.K., ku ndodheshin N.K., M.M., S. G., B.G., B.Sh., A.C., dhe Q. Sh., të cilët janë keqtrajtuar fizikisht dhe psikikisht, i kishin detyruar të ngarkojnë në kamionetën e policisë të gjitha materialet e ndihmës që ndodheshin në objektin e shoqatës humanitare ‘Nënë Tereza’, dhe më pas janë futur me dhunë në një kamion dhe janë dërguar në stacionin policor të Gjakovës”, thuhet në aktakuzë.

Aktakuza vijon se, në stacionin policor, “të dëmtuarit janë ndarë nëpër qeli të ndryshme, ku kanë qëndruar për 24 orë pa ushqim, pa ujë dhe pa ndihmë mjekësore, duke u rrahur dhe maltretuar vazhdimisht nga ana e të pandehurve dhe pjesëtarëve të tjerë të policisë serbe me shufra gome, shqelma dhe grushte”.

Sipas aktakuzës, civili i kombësisë shqiptare me inicalet M.M. ishte gjetur i vrarë në afërsi të urës së Taliqit, në Gjakovë, në ditën kur ishte nxjerrë nga qelia, më 26 mars 1999.

Në vitet e fundit, Kosova e ka rritur numrin e aktakuzave në mungesë për krime lufte gjatë luftës së fundit.

Në korrik, Prokuroria ngriti aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *