Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në qytetin e Gjirokastrës, ku një grua 71-vjeçare ka ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti rrugor.
Sipas informacioneve paraprake, viktima është përplasur nga një automjet që drejtohej nga një oficer i Policisë së Shtetit. Ngjarja ka ndodhur në një nga rrugët kryesore të qytetit, ndërsa e moshuara nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra.
Menjëherë pas aksidentit, gruaja është transportuar drejt spitalit rajonal të Gjirokastrës, por mjekët nuk kanë mundur të bëjnë asgjë për ta shpëtuar.
Policia ka konfirmuar se drejtuesi i mjetit është punonjës policie, i cili është shoqëruar menjëherë për në komisariat dhe po merren në pyetje për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të sqaruar shkakun e aksidentit tragjik, ndërsa mësohet se oficerit i janë kryer testet e alkoolit dhe drogës, rezultatet e të cilave pritet të bëhen publike.
Ky rast ka tronditur opinionin publik në Gjirokastër, duke ngritur sërish shqetësimin për sigurinë rrugore dhe respektimin e rregullave të qarkullimit, sidomos kur bëhet fjalë për drejtues që mbajnë funksione shtetërore.