Gjykata e Lartë Federale e Brazilit ka lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar për shtetasin shqiptar Ervin Mata, i akuzuar nga autoritetet shqiptare për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge dhe disa aktivitete të tjera kriminale.
Sipas mediave braziliane, urdhri është dhënë nga gjyqtari Alexandre de Moraes më 23 shtator, pas kërkesës për ekstradim nga autoritetet shqiptare.
Mata i cili është shpallur në kërkim nga SPAK, dyshohet se është fshehur në Brazil prej vitesh, që pas nisjes së hetimeve ndaj tij në Shqipëri dhe në vendet e BE-së.
Akuzat ndaj Matës
Sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe informacioneve të përgjuara përmes aplikacionit të koduar “Sky ECC”, Ervin Mata konsiderohet si organizator i një rrjeti të strukturuar kriminal që ka trafikuar sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine në Evropë.
Një nga rastet më të bujshme ku ai përmendet është tentativa për trafikimin e 69 kg kokainë, që ishte fshehur në një kontenier me lëng limoni dhe që u sekuestrua nga autoritetet braziliane në Portin e Santos, me destinacion për në Valencia, Spanjë.
Gjithashtu, hetimet e lidhin atë me një tjetër ngarkesë prej 240 kg kokaine, e kapur në Frankfurt të Gjermanisë në vitin 2020
Pas këtij operacioni të dështuar, besohet se Mata është larguar nga Europa dhe është vendosur në Brazil, ku autoritetet shqiptare e kanë lokalizuar më vonë