Pas operacionit të SPAK në Durrës, ku në pranga ra Enea Kume, vëllai i deputetit socialist Loer Kume, ka ardhur edhe reagimi i vetë deputetit.
Duke folur live në studion e “Ora News”, Kume konfirmoi arrestimin e të vëllait, ndërsa tha se ishte vënë në dijeni që mbrëmjen e kaluar, duke ngritur dyshime se aksioni mund të jetë dekonspiruar.
“U njoftova mbrëmë, është arrestuar dhe është i dyshuar. Për sa kohë nuk ka një vendim fajësie, do ta konsideroj të pafajshëm deri në momentin që drejtësia të flasë. Por gjithkush është përgjegjës për jetën dhe vendimet e veta,” tha Kume.
Deputeti socialist tha se nuk ka informacion të plotë mbi akuzat, ndërsa theksoi se nuk do të paragjykojë procesin, duke lënë gjithçka në dorën e drejtësisë.
Operacioni i SPAK-ut, i zhvilluar në disa qytete, ka çuar në arrestimin e disa personave, mes tyre edhe Enea Kume, vëllai i deputetit të PS-së.