Fredi Sulejmani drejton prej 13 vitesh shkollën 9-vjeçare “Halit Gremi” në Mbrostar të Fierit dhe po kaq vite përballet me probleme që nuk gjejnë zgjidhje. Godina e shkollës është e rrethuar nga ujërat e zeza, të cilat kutërbojnë erë dhe shkaktojnë lagështirë në klasa dhe palestër, duke rrezikuar shëndetin e nxënësve.
Oborri i shkollës mbushet me ujë sa herë bie shi, duke penguar aktivitetin normal dhe orët sportive të Edukimit Fizik. Një restaurim i kryer në vitin 2017 nuk ndihmoi në normalizimin e situatës, ndaj Sulejmani është në pritje të një investimi të ri.
“Gjendja e godinës së shkollës nuk është aspak e mirë. Kemi bërë kërkesë në bashki dhe jemi dakortësuar, pra na është premtuar për të bërë rikonstruksion të plotë të saj,” tha Sulejmani për BIRN.
“Padyshim që infrastruktura shkollore jo e mirë dhe problematikat që cilësova më sipër ndikojnë te një pjesë e prindërve për të mos i sjellë fëmijët në shkollën tonë,” shtoi ai, duke theksuar se po humbasin nxënës.