Pas paralajmërimit të ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, edhe Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se në vend janë regjistruar raste të fluturimeve të dronëve në pjesën veriore, të cilët dyshohet se vijnë nga territori i Serbisë.
Hoxha lajmëroi se në lidhje me këto zhvillime autoritetet policore kanë sinjalizuar në mënyrë të vazhdueshme trupat e KFOR dhe po kryejnë monitorim të situatës.
“Gjatë ditëve të fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që vijnë nga territori i Serbisë, në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR-in dhe jemi duke e bërë monitorimin se çfarë mund të bëhet. Është e rrezikshme për pjesën e kufirit por për qytetarët tanë jo.
Ne jemi duke i mbrojtur. Ndërsa hapësira ajrore është përgjegjësi e KFOR-it, ne e kemi njoftuar KFOR-in dhe partnerët tanë. KFOR-i, është përgjegjësi e tyre dhe janë duke punuar në këtë drejtim”, tha drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Ai theksoi se rreziku ekziston për ruajtjen e kufirit, por jo për qytetarët, të cilët sipas tij janë të mbrojtur nga institucionet.
Prononcimin për këtë çështje, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës e bëri pas organizimit të shkatërrimit të disa armëve ilegale në Prelez të Ferizajt.
Një ditë më parë, ministri në detyrë Xhelal Sveçla deklaroi se këto veprime përbëjnë një rrezik për sigurinë kombëtare dhe janë pjesë e një strategjie më të gjerë të politikës agresive serbe ndaj Kosovës.