Në Greqi është në fuqi nga 2024 java me gjashtë ditë pune. Tani pritet të pasojë edhe rregullorja për ditën me 13 orë punë. Sindikatat refuzojnë projektligjin. Të mërkurën është shpallur grevë e përgjithshme.
“Unë nuk mund të punoj 13 orë në ditë dhe këtë nuk mund ta kërkoj as nga punonjëset e mira”, thotë Anni, shefe e sallonit të bukurisë “64” në Pagrati, në qendër të Athinës.
Ajo është e bindur, se as klientet e saj nuk mund të jenë të kënaqura me një stiliste, e cila është rropatur 13 orë në punë gjatë gjithë ditës.
Ndaj ajo shtron pyetjen, përse ministrja e Punës, Niki Kerameos dëshiron patjetër të mundësojë me ligj ditën me 13 orë pune.
Ministrja në shumë intervista e Greqi, grevë e përgjithshme kundër orëve shtesë të punës shpjegon planin e saj: Synohet vetëm një rregull përjashtues, për vetëm 37 ditë në vit e kjo madje është “në interes të punëmarrësve”.
Sindikatat e Greqisë e refuzojnë planin e ministres dhe përpiqen ta rrëzojnë projektligjin për “fleksibilizimin e kohës së punës”, që së shpejti pritet të kalojë në parlament.
Për të mërkurën (1.10.2025) sindikatat kanë bërë thirrje për grevë të përgjithshme. Ato duan ta paralizojnë Greqinë këtë ditë: Anijet do të qëndrojnë të ankoruara në porte, avionët të parkuar në aeroporte dhe ato pak trena që ka, do të mbeten të parkuar nëpër stacione.
Pasoja negative ndaj produktivitetit
Por a mundet vërtetë një punonjës që ta refuzojë punën me orë shtesë? Theodoros Koutroukis, profesor për në fushën e marrëdhënieve të punës në Universitetin e Trakës Democritus thotë: “Jo. Kjo nuk mund të bëhet pa pasur pasoja për punonjësin, sepse një punonjës i vetëm ka një fuqi minimale negocimi.”
Koutroukis tërheq vëmendjen, se rregullorja e re nuk do të ndikojë pozitivisht ndaj tregut të punës. Zgjatja e orëve të punës në ditë mund të shkaktojë pakënaqësinë e të punësuarve dhe në uljen e produktivitetit, thotë ai për DW. Kjo çon në përkeqësimin e cilësisë dhe madje edhe në rritjen e kostove të pagës për njësi.
Zgjatja e orarit të punës mund të prishë edhe ekuilibrin në raportin punë dhe familje duke ua kufizuar hapësirën kohore të punësuarve për familjen si dhe për të ndjekur kurse të kualifikimit profesional, vëren profesori.