Autoriteti i Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar opinionin publik se në tregun e Kosovës gjendet peshk i ngrirë nga deti ose oqeani, i cili gjatë përgatitjes mund të shfaqë praninë e parazitit Anisakis simplex, një dukuri e njohur ndërkombëtarisht në disa lloje të peshkut.
Sipas njoftimit të AUV-së, prania e këtyre parazitëve nuk paraqet rrezik për shëndetin e njeriut, për shkak se procesi i ngrirjes në temperatura shumë të ulëta e ka shkatërruar aftësinë e tyre për të shkaktuar sëmundje.
“Peshku i ngrirë është i sigurt për konsum, veçanërisht kur përgatitet në temperatura mbi 60 gradë, standard që siguron asgjësimin e çdo rreziku të mundshëm”, thekson AUV.
Incidentet e mundshme, sipas autoriteteve, lidhen vetëm me konsumimin e peshkut të freskët, i cili nuk është ngrirë dhe nuk i është nënshtruar përgatitjes termike, veçanërisht në rastet kur përdoret për ushqime si sushi, sashimi apo crudo.
Në këto raste, peshku duhet patjetër të jetë i ngrirë më parë, në përputhje me praktikat ndërkombëtare dhe legjislacionin në fuqi.
Ky standard nuk është unik vetëm për vendet e Bashkimit Evropian, SHBA-në apo Kanadanë, por është pjesë e legjislacionit të harmonizuar të Kosovës me direktivat e BE-së për sigurinë ushqimore.
AUV thekson se praktikat e tilla janë të bazuara në studime të shumta shkencore dhe në rekomandimet e institucioneve prestigjioze ndërkombëtare si:
EFSA (Autoriteti Evropian për Siguri Ushqimore)
FAO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi)
‘Nëse produkti përdoret sipas udhëzimeve, pra, përgatitet termikisht ose është i ngrirë, nuk paraqet rrezik për shëndetin publik’, thuhet në deklaratën zyrtare.
AUV i bën thirrje qytetarëve, mediave dhe institucioneve që të mos bien pre e panikut të panevojshëm, por të bëjnë kujdes që informacionet të bazohen në burime të sakta dhe profesionale.
Institucioni ka siguruar se kontrollet në treg vazhdojnë të jenë rigoroze dhe në përputhje të plotë me legjislacionin aktual dhe standardet ndërkombëtare për sigurinë ushqimore.