Aurela Beqiri nga Elbasani iu drejtua emisionit “Stop” në Tv Klan, pasi hasi probleme në marrjen e certifikatës së pronësisë për një pasuri të dhuruar nga vajzat e saj.
Gjatë aplikimit të parë në Kadastrën e Elbasanit, në dokument u shënua gabim lagjja si rrugë e në aplikimin e dytë, ndodhi e kundërta, rruga u bë lagje. Pasi konstatoi këto gabime, Aurela iu drejtua noteres Teuta Hoxha, e cila bëri aplikimet përkatëse. Megjithatë edhe pas përpjekjes së dytë, gabimet vazhduan.
“Kam një problem me Kadastrën e Elbasanit. Vajzat më dhuruan një shtëpi me kontratë dhurimi dhe shtëpia ndodhet në lagjen ’28 Nëntori’. Pasi përfunduam procedurat e kontratës së dhurimit, noterja aplikoi për procedurat për certifikatë pronësie. Kadastra e Elbasanit për pajis me certifikatë pronësie, por adresa nuk është e saktë. Aplikuam përsëri dhe përsëri më erdhi me adresë gabim”, tregon qytetarja.
Kur shkoi vetë pranë Kadastrës së Elbasanit, punonjësit i thanë se e tillë dilte adresa në sistem.
“Shkova dy herë tek kadastra dhe më thanë që nuk kemi se çfarë të bëjmë sepse kështu e merr sistemi e-Albania. E treta e vërteta tani. Kam shpresa të mëdha te Stop-i, se te kadastra dhe te shteti jo”, shtoi ai.
Pas interesimit të gazetares, Shpëtim Hala, Koordinator i Medias në Kadastrën e Elbasanit, pranoi se bëhej fjalë për gabim njerëzor dhe premtoi zgjidhje nga specialistët.
“Aplikimet që ka kryerë qytetarja në fjalë, sipas sistemit që ne operojmë merr rrugën ’28 Nëntori’ siç është tek arkivat e kadastrës, pra dhe nuk merr emrin e lagjes siç duhet të ishte. Në këtë aplikim të fundit do të bëhet korrigjimi i nevojshëm”, tha Shpëtim Hala.
Pas këtij kalvari, Aurela e mori certifikatën dhe falënderoi emisionin “Stop” për ndihmën./tvklan.al