Home / ⁠Politike / Klima e investimeve, Departamenti Amerikan i Shtetit publikon raportin për Shqipërinë: Sfidë kryesore paratë e drogës!

Klima e investimeve, Departamenti Amerikan i Shtetit publikon raportin për Shqipërinë: Sfidë kryesore paratë e drogës!

Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi sot raportin për klimën e biznesit në Shqipëri për vitin 2025.

Në këtë raport, theksohet se administrata shqiptare vazhdon të përballet me sfida të konsiderueshme, ndërsa ka shqetësime të vazhdueshme nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në raport, Shqipëria përshkruhet si një vend me disa probleme në fushën e investimeve dhe sundimit të ligjit, të cilat ndikojnë në klimën e përgjithshme të biznesit.

Në dokument thuhet se sfidat kryesore që dëmtojnë ambientin e biznesit përfshijnë korrupsionin e përhapur, një sistem gjyqësor të dobët, mungesën e transparencës në prokurimet publike, si dhe praninë e madhe të ekonomisë informale dhe pastrimit të parave, sidomos me burim nga trafiku i drogës.

Në raport theksohet se ekonomia informale ka ndikuar ndjeshëm në shtrembërimin e konkurrencës në treg. Për më tepër, bizneset raportojnë ndërhyrje të paligjshme, shantazhe dhe presion nga aktorë të administratës publike, media dhe grupe të organizuara kriminale.

Të metat në qeverisje dhe problematika të thella në sistemin e drejtësisë

DASH evidenton korrupsionin e vazhdueshëm në procesin e prokurimeve shtetërore, ku kontratat shpesh jepen përmes procedurave të dyshimta dhe të mbyllura. Përkundër përpjekjeve të qeverisë për të promovuar transparencë në tenderime – përmes platformës “Open Procurement” dhe dixhitalizimit të shërbimeve – raporti vëren se realiteti në terren mbetet problematik.

Kontratat e partneritetit publik-privat (PPP) përmenden si një tjetër burim shqetësimi, pasi, sipas raportit, ato shpesh janë hartuar pa analizë të thelluar dhe me mungesë të ekspertizës profesionale. Kjo ka kufizuar pjesëmarrjen e investitorëve të huaj dhe ka krijuar terren për favorizime.

Çështja e pronësisë dhe drejtësisë mbetet një pengesë madhore

Sipas raportit, të drejtat e pronës vazhdojnë të jenë një çështje delikate. Të huajt dhe vendasit përballen me vështirësi të mëdha për të siguruar tituj të qartë pronësie. Janë raportuar raste të abuzimeve me sistemin gjyqësor, ku individë të caktuar kanë manipuluar dokumentacionin për të përvetësuar prona në mënyrë të paligjshme. Mbivendosja e titujve të pronësisë është një dukuri e përhapur dhe kompensimi për pronat e konfiskuara gjatë komunizmit vazhdon të jetë i ngadaltë dhe joefikas.

Korrupsioni

Shqipëria ka ndërmarrë reforma të thella për të luftuar korrupsionin në nivelet më të larta, përfshirë ndryshime kushtetuese dhe ngritjen e institucioneve të specializuara si SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH). Megjithatë, zbatimi i reformës në drejtësi ka krijuar boshllëqe serioze për shkak të largimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, duke ngadalësuar proceset gjyqësore, veçanërisht në gjykatat e apelit.

Përkundër përparimeve të regjistruara – si përmirësimi në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit nga Transparency International (nga 37 në 42 pikë) – investitorët e huaj mbeten skeptikë për klimën e të bërit biznes në Shqipëri. Ata theksojnë se mungesa e stabilitetit ligjor, ndryshimet e shpeshta në politikat fiskale dhe rreziku nga arbitrariteti i autoriteteve mbeten pengesa të mëdha.

Investimet amerikane: rritje modeste, por me pengesa të shumta

Investimet direkte nga SHBA në Shqipëri arritën në 382 milionë dollarë në fund të vitit 2024, një rritje krahasuar me vitin 2023. Megjithatë, raporti vëren se ky nivel është ende modest dhe përfaqëson një pjesë të vogël të kapitalit të huaj në vend, për shkak të klimës së pasigurt për investime.

Bizneset amerikane që operojnë në Shqipëri shpesh zgjedhin të përfshijnë klauzola të arbitrazhit ndërkombëtar në kontrata, për të shmangur zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes sistemit vendas të drejtësisë, të cilin e konsiderojnë të ngadaltë, joefektiv dhe të ndikuar politikisht.

Përfundim

Pavarësisht përparimeve të kufizuara në dixhitalizimin e shërbimeve dhe luftën kundër korrupsionit në nivele të ulëta, Shqipëria mbetet një ambient sfidues për investitorët ndërkombëtarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *