Një kompani e re me shifra të pabesueshme
“Kukesi 2023-co” SHPK është regjistruar më 7 nëntor 2023 me administrator dhe ortak të vetëm Egzon Pecaku. Sipas ekstraktit të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), objekti i veprimtarisë përfshin një gamë shumë të gjerë aktivitetesh: nga ndërtimet civile e turistike, punime elektrike e hidroteknike, transport mallrash, projekte pastrimi, deri te dhënia me qira e pasurive të paluajtshme. Kapitali fillestar është vetëm 100 mijë lekë, ndërsa selia ndodhet në Tiranë, në Rrugën Seit Isufi, ish Televizioni, Pallati Noku.

Pasqyra financiare që ngre pikëpyetje
Në pasqyrën e performancës për vitin 2024, të publikuar në dokumentet e dorëzuara në tatime, të ardhurat nga aktiviteti kryesor arrijnë shifrën tronditëse prej rreth 29 milionë euro (2.9 miliardë lekë). Ndërkohë shpenzimet janë minimale. Një pyetje shumë thjeshtë: Një kompani e krijuar në vitin 2023 ka një bilanc rreth 30 MLN euro dhe fitimin minimal 1.4 milion lekë? Ky nivel qarkullimi është i pazakontë për një kompani me vetëm dy të punësuar dhe pa një histori të gjatë operimi. A ka lidhje me politikanë të lartë? Kush fshihet pas shoqërisë me miliona euro?
Aktivitet i fragmentuar dhe profile të ndryshme
Statuti i firmës përshkruan aktivitete që variojnë nga ndërtimi dhe mirëmbajtja e objekteve deri te shërbimet e pastrimit dhe marketingut të pasurive të paluajtshme – një diversitet i pazakontë për një kompani të re. Ky lloj spektri veprimtarish shpesh përdoret si mbulesë për të justifikuar qarkullim të lartë të parave.
Dyshime për pastrim parash
Ekspertë të fushës financiare theksojnë se kombinimi i të ardhurave shumë të larta në një periudhë kaq të shkurtër, kapitalit minimal dhe stafit të kufizuar është tipik për skema të dyshimta. Në këto raste, paratë e padeklaruara ose me burim kriminal mund të qarkullohen përmes transaksioneve fiktive, duke u paraqitur si të ardhura legjitime nga aktivitetet e shumta të deklaruara.
Pronar i vetëm dhe lidhje me aktivitete luksoze
Egzon Pecaku figuron si pronari dhe administratori i vetëm i kompanisë. Fotografi të publikuara në rrjetet sociale tregojnë individë pranë automjeteve luksoze, një tjetër element që mund të ngrejë pikëpyetje mbi burimin e të ardhurave. Deri tani nuk ka një hetim zyrtar, por përputhja e këtyre elementeve – fitimet e papritura, profili i aktivitetit dhe mungesa e burimeve të qarta të kapitalit – e bën “Kukesi 2023-co” një rast tipik që kërkon verifikim nga autoritetet tatimore dhe hetimore.
Në mungesë të një kontrolli të thelluar, rreziku i përdorimit të kompanisë si mekanizëm pastrimi parash mbetet i lartë. Organe si Drejtoria e Tatimeve dhe SPAK pritet të vlerësojnë këto të dhëna për të zbuluar nëse pas qarkullimeve marramendëse fshihen burime të paligjshme./PUBLIK.AL