Gjykata e Gjirokastrës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për 3 të ndaluarit e përfshirë në rastin e rëndë të abuzimit seksual dhe shtrëngimit financiar nëpërmjet shantazhit me video intime, ku është e përfshirë një 16-vjeçare nga Këlcyra dhe dy punonjës policie.
Në një seancë me dyer të mbyllura, pasi u dëgjuan palët respektive, gjyqtari i gatshëm vendosi lënien në qeli të tre të arrestuarve, mes tyre një efektiv policie.
Masat me burg u dhanë për Isi Pasha, 26 vjeç, Pajtim Baka, njerku i të miturës, njëkohësisht efektiv dhe Kristian Prifti, 46 vjeç. Pasha dhe Prifti akuzohen njëkohësisht për shantazhin ndaj policit.
Arrest me burg në mungesë u dha edhe për efektivin tjetër, 53-vjeçarin Artur Ago, i shpallur në kërkim, protagonisti i videos, e që dyshohet se është arratisur drejt Greqisë.
Një nga efektivët akuzohet se ngacmonte thjeshtrën e tij 16-vjeçare, kurse tjetri se kishte lidhje intime me të miturën dhe nëpërmjet informacionit shantazhohej me vlerë deri në 12 mijë euro.
Indicia për këtë rast u bë publike përmes një postimi në rrjetet sociale, ç’ka çoi menjëherë në nisjen e hetimeve nga Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), për shkak të përfshirjes së një punonjësi të policisë.
Grupi hetimor ka zbuluar se ngjarja ka lidhje me disa video me përmbajtje intime, të cilat janë shpërndarë në mënyrë virtuale dhe janë në posedim të disa të rinjve, shokë të vajzës.
Tre personat kanë shantazhuar efektivin e policisë së Përmetit, 56-vjeçarin e arrestuar, duke i kërkuar para me pretendimin se dispononin një video intime të tij me një 16-vjeçare, S.K., njëkohësisht thjeshtra e tij. Shuma e kërkuar si shantazh shkonte deri në 12 mijë euro.
AMP dhe më pas Prokuroria thelluan hetimet.
Burime nga prokuroria bëjnë me dije se në video shfaqen dy personat duke kryer veprime intime virtualisht. Rasti nuk është denoncuar nga efektivi, por është zbuluar nga persona të tjerë dhe referuar në Prokurorinë e Gjirokastrës.
Në lidhje me këtë ngjarje, Prokuroria ka lëshuar katër urdhër-arreste. Dy prej tre personave që shantazhuan efektivin janë shoqëruar dhe arrestuar bashkë me të në ambientet e Policisë së Gjirokastrës, ndërsa në kërkim është shpallur bashkëpunëtori i tyre, po efektiv dhe që është arratisur drejt Greqisë.