Sot në Gjykatën e Lartë do të shqyrtohet rekursi i Erion Veliajt, ish-kryebashkiak i Tiranës, për ndryshimin e masës së sigurisë.
Veliaj ka kërkuar ndryshimin e kësaj mase, ndërsa seanca pritet të zhvillohet gjatë ditës.
Relatore e seancës është caktuar gjyqtarja Albana Boksi.
Veliaj qëndron në qeli që prej 10 shkurtit, kur dhe u arrestua me urdhër të GJKKO pas kërkesës së SPAK. Ai është nën akuzë për 5 vepra penale, korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie, shpërdorim detyre dhe futje e sendeve të ndaluara në qeli.
Ai akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, në raport me disa kompani. Sipas SPAK, ai ka marrë përfitime të parregullta në para dhe pasuri të paluajtshme, ndërsa kompanitë kanë përfituar leje ndërtimi apo fonde publike nga bashkia.
Veliaj u shkarkua nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës më 25 shtator, me vendim të Këshillit të Ministrave me argumentin se nuk ishte paraqitur në detyrë për më shumë se tre muaj, që nga arrestimi më 10 shkurt. Por, Veliaj depozitoi ankimin në Kushtetuese, kërkesë e cila pezullon shkarkimin e tij.
Pavarësisht kësaj, presidenti Bajram Begaj dekretoi zgjedhjet për bashkinë e Tiranës me argumentin se shkarkimi i Veliajt me motivacionin ‘mosparaqitje në detyrë’ duhet të trajtohet nga Gjykata Administrative dhe jo nga Gjykata Kushtetuese.