Home / ⁠Kryesore / Mbrojtja e të dhënave personale; Kujdes kanë filluar gjobat e larta, rrezikoni deri në 20 mln euro!

Mbrojtja e të dhënave personale; Kujdes kanë filluar gjobat e larta, rrezikoni deri në 20 mln euro!

Prej fillimit të këtij viti, Shqipëria ka një kuadër të ri ligjor për mbrojtjen e të dhënave personale, i cili në përafrim të plotë me direktivën e BE-së, parashikon një sërë risish dhe detyrimesh për subjektet kontrolluese dhe përpunuese. Po kështu, parashikon masa administrative deri në 20 milionë euro. Por, teksa po punohet me grupe interesi për t’i mirinformuar, paralelisht kanë filluar gjobat e para. Katër vendime në korrik-gusht kanë ndëshkuar me 47 mijë euro katër subjekte ndër të tjera: dy klinika dentare, një parti politike dhe një institucion shtetëror. Subjekte të këtij ligji si përpunues apo kontrollues pohojnë se pavarësisht aspekteve pozitive që sjell ligji, ai mbetet ende i ri dhe duhet të ketë një fazë paralajmërimi përpara ndëshkimit duke i dhënë mundësi për përshtatje.

 

Katër vendime të periudhës korrik-gusht të këtij viti, të marra nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, parashikuan gjoba në vlerën 4.7 milionë lekë si efekt i shkeljeve të konstatuara në disa subjekte.

 

Kuadri ligjor që hyri në fuqi në janar të këtij viti për mbrojtjen e të dhënave personale, duket se ka kaluar në fazën e tij të re.Pas paralajmërimit dhe thirrjes për ndërgjegjësim të subjekteve për të përmirësuar aspektet teknike dhe detyrimet e reja që vendoste ligji në lidhje me mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave personale, kemi kaluar te ndëshkimi.

 

Gjobat në fjalë, të ndara mes katër subjekteve, sipas gjetjeve të shkeljeve të konstatuara nga zyra e Komisionerit, janë trajtuar në përshtatje me metodologjinë në fuqi për llogaritjen e tyre duke pasur në bazë tavanin që parashikon ligji, që arrin deri në 20 milionë euro dhe xhiron vjetore ekonomike të subjektit.

 

Gjobat e vendosura për shkeljet e konstatuara, edhe pse shumë të ulëta në raport me kufirin maksimal, janë dukshëm më të larta se ato që aplikoheshin me ligjin e vjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *