Kancelari gjerman, Friedrich Merz i kërkoi sot Evropës të mos lejojë Rusinë të përcaktojë kushtet e një marrëveshjeje paqeje në Ukrainë duke paralajmëruar se duke vepruar kështu, kjo vetëm sa do ta nxiste presidentin rus, Vladimir Putin të kërkonte objektivin e tij të radhës.
“Putini i ka testuar limitet tona për një kohë të gjatë”, tha Merz në Bundestag, ndërsa po i drejtohej ligjvënësve si pjesë e javës së buxhetit të shtetit.
“Ai saboton, spiunon, vret dhe përpiqet të shqetësojë njerëzit”, theksoi ai.
Merz tha se kjo ishte e dukshme në Poloni javën e kaluar, kur dronët rusë shkelën hapësirën ajrore të vendit dhe u rrëzuan mbi territorin e saj për herë të parë.
”Putini po kërkonte gjithashtu të destabilizojë shoqërinë gjermane”, paralajmëroi kancelari.
“Ne nuk do ta lejojmë këtë të ndodhë”, theksoi Merz, duke shtuar se Gjermania po forconte rezistencën dhe aftësitë e saj mbrojtëse pikërisht për këtë arsye.
“Ne duhet t’i shkurajojmë kundërshtarët tanë nga agresioni i mëtejshëm dhe në të njëjtën kohë t’i afrojmë aleatët dhe partnerët”, tha ai.
Gjermania ka qenë një nga mbështetëset më të forta të Ukrainës pas pushtimit rus të vitit 2022.
Sipas ministrit gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius vendi e ka tejkaluar SHBA-në dhe tani është furnizuesi më i madh i ndihmave ushtarake.