Home / Aktualitet / Ndalohet qarkullimi në aksin Kir–Lotaj–Ndërlysaj deri në përfundimin e ndërhyrjeve

Ndalohet qarkullimi në aksin Kir–Lotaj–Ndërlysaj deri në përfundimin e ndërhyrjeve

Prej disa ditësh, aksi rrugor Kir-Lotaj-Ndërlysaj është bllokuar si pasojë e rrëshqitjes së një masivi dheu.

Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci u shpreh më herët se “duke iu referuar ekspertëve, duhet pritur stabilizimi i terrenit për të ndërhyrë në kushte sigurie, duke kërkuar mirëkuptimin e banorëve dhe u sugjeroi të përdorin rrugë alternative për të lëvizur në drejtim të Shkodrës”.

Ditën e sotme, Beci përsëriti thirrjen për çdo banor të Dukagjinit, pasi siç theksoi ai janë vënë re raste kur qytetarë kanë tentuar ta kalojnë këmbë këtë aks, duke rrezikuar seriozisht jetën, sidomos të fëmijëve.

“Ju bëjmë apel të mos lëvizni në këtë segment deri në përfundimin e ndërhyrjeve dhe të përdorni rrugët alternative”, tha Beci, ndërsa falënderoi Policinë e Shtetit për masat e marra për ndalimin e qarkullimit.

Aksi Kir-Lotaj-Ndërlysaj është një ndër segmentet me të rëndësishme të veriut të vendit, që lidh Shkodrën me Lekbibajn në Tropojë e në vijim me Bajram Currin, luginën e Valbonës si dhe me Gjakovën në Kosovë.

Që prej ditës datës 12 shtator, si pasojë e shembjes së një masivi shkëmbor në rrugën Kir–Lotaj–Ndërlysaj, në vendin e quajtur “Prroni i Çiverit”, fshati Kir, njësia administrative Pult, është bllokuar segmenti rrugor.

Aksi rrugor Kir-Lotaj-Ndërlysaj, pjesë e rrugës së Dukagjinit, Loti II, është një projekt zhvillimi i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe në përfundim të tij, pritet që të lehtësojë qarkullimin e mjeteve, jo vetëm për banorët e zonës, por edhe për turistët e shumtë që vizitojnë Dukagjinin dhe veriun e Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *