Policia e Shtetit ka vënë në pranga Kristi Bushgjokën dhe Aleksandër Bushgjokën, të shpallur më herët në kërkim për rrëmbimin dhe ekzekutimin e 28-vjeçarit Renis Dobra, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 8 korrikut në zonën e Ulzës.
Më herët për këtë krim të rëndë ishin arrestuar edhe Petrit Çakrri dhe Fation Bushgjokaj.
Hetimet kanë zbuluar se tre vëllezërit Bushgjokaj nga Tropoja, të vendosur në Kamëz, së bashku me Çakrrin kishin marrë makina me qira në Tiranë disa ditë para ngjarjes, duke i ndërruar disa herë për të humbur gjurmët. Ata kishin tentuar të çaktivizonin pajisjet GPS të automjeteve, por pa sukses.
Grupi i dyshuar kishte ndjekur për tre ditë lëvizjet e 28-vjeçarit në Burrel. Më 8 korrik, e rrëmbyen, e mbytën me litar dhe më pas e hodhën në liqenin e Shkopetit.
Njëri prej vëllezërve dyshohet se ndihmoi të tjerët për t’u larguar drejt Kosovës pas krimit, ndërsa dy të tjerë akuzohen si autorë të drejtpërdrejtë të rrëmbimit dhe vrasjes.