Home / ⁠Politike / “Procesverbali i manipuluar”, Kaso: Qytetarëve u mohuat të drejtën të dëgjojnë opozitën!

“Procesverbali i manipuluar”, Kaso: Qytetarëve u mohuat të drejtën të dëgjojnë opozitën!

Deputeti i zgjedhur demokrat,  Ivi Kaso, në seancën plenare të mbajtur sot theksoi se mazhoranca po vazhdon me shkeljet flagrante të procedurave dhe me përpjekjet për të mbyllur gojën e opozitës.

Ai akuzoi drejtuesin e Kuvendit për zbatim selektiv të rregullores dhe për vendosje të Parlamentit në shërbim të njëanshëm të vullnetit të Kryeministrit.

Në një deklaratë të fortë, Kaso tha se procesverbali i seancës së kaluar duhej të paraprihej nga një ndjesë publike për mënyrën se si u “vra” debati parlamentar dhe si iu mohua qytetarëve e drejta për të dëgjuar qëndrimet e opozitës mbi programin qeverisës.

Deklarata:

Para se të kalonim në diskutimin e procesverbalit të seancës së kaluar, duhej të niste me një ndjesë publike nga ana juaj. Një ndjesë publike se si arritët të “vrisni” që në seancën e dytë që drejtoni; se si vratë debatin parlamentar dhe u mohoni qytetarëve shqiptarë të drejtën e tyre për t’u njohur me ata që synojnë t’i qeverisin legjislaturën e ardhshme dhe mbi të gjitha, kush do ta qeverisë atë, sepse pjesën më të madhe të ministrave që janë rreshtuar poshtë jush nuk i njohin as për emër, as për figurë, e aq më tepër për ndonjë kontribut politik apo shoqëror.

Nuk e di nëse kishte ndonjë fitues në seancën e kaluar, por sigurisht që kishte një të humbur. I humburi ishte interesi i qytetarit, që jeni betuar ta mbroni dhe që me sjelljen tuaj si vasal i drejtpërdrejtë i kryeministrit, që ju urdhëroi ditën për diell.

Ju vazhdoni me rekordin e turpshëm të ndërprerjes së fjalës së opozitës dhe mendoni se kështu do t’i ulni dinjitetin këtij Parlamenti. E vetmja gjë që demonstroni është mungesa e dinjitetit tuaj profesional dhe mungesa e respektit ndaj këtij institucioni që pretendoni ta drejtoni.

Para se të kaloni në miratimin e procesverbalit të seancës së kaluar, dëgjoni thirrjen e kolegëve të opozitës dhe kthejeni për diskutim programin e qeverisë. Jepini fjalën opozitës të mbajë qëndrimet e saj dhe të bëjë pyetjet e saj, sepse kështu do t’i shërbeni interesit qytetar. Atij interesi që jeni betuar se do ta mbroni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *