Nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi u zhvillua sot mbledhja e Konferencës së Kryetarëve.
Në rend të ditës ishte caktimi i kohës së debatit për programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave, në seancën plenare të ditës së nesërme.
Gjatë mbledhjes, opozita kërkoi debat pa kufizim kohor në Kuvend për programin qeverisës.
“Kërkojmë që të ketë debat mbi programin qeverisës dhe prezantimin e qeverisë. Është moment i rëndësishëm dhe secili deputet duhet të ketë mundësinë e debatit”, u shpreh gjatë mbledhjes kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Pas diskutimeve Konferenca e Kryetarëve ra dakord që të zbatohet rregullorja dhe çdo deputet të flasë 10 minuta në seancën plenare të datës 18 shtator 2025.
Në këtë drejtim, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi informoi se “në mbledhjen e parë të Konferencës së Kryetarëve, u arrit me konsensus dakordësia për zhvillimin e debatit në seancën e nesërme, me fokus te programi politik dhe përbërja e Këshillit të Ministrave”.
Në vijim, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi urdhëroi mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 18 shtator, ora 10:00, për të shqyrtuar projektvendimin “Për miratimin e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave”.
Përmes këtij urdhri ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.