Kryetari i PS, Edi Rama, ka mbledhur pasditen e kësaj të mërkure ministrat dhe deputetët, ndërsa u shpreh se Tirana ka nevojë për një kryetar të ri.
Ai theksoi se vendimi i Këshillit dje i ka hapur rrugë mbajtjes së zgjedhjeve në bashkinë më të madhe të vendit.
“Pas 7 muajsh pa një kryetar bashkie në krye të detyrës, u detyruam të marrim një hap të debatueshëm në raport me Veliajn, por të detyrueshëm në raport me fatin e kryeqytetit të Shqipërisë. Këshilli Bashkiak miratoi dje shkarkimin e kryetarit për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për bashkinë Tiranë.
Janë llomotitur shumë gjëra me këtë hap, por nuk ia vlen të merremi…as me ata të cilët e quajnë diktaturë kur shumica parlamentare detyrohet të kalojë vë votimin e programit pasi i ndalohet të paraqesë programin e kuvendit. Tirana nuk mund të gdhihet dhe ngryset si trup pa kokë dhe qytetarët nuk mund të bashkëjetojnë me një bashki kokëkëputur”, tha Rama.