Akuzat për terrorizëm kundër reperit të grupit Kneecap, Liam Óg Ó hAnnaidh, janë hedhur poshtë nga kryemagjistrati për shkak të një gabimi teknik. Ó hAnnaidh ishte akuzuar për një vepër terrorizmi pasi dyshohej se kishte shfaqur një flamur të Hezbollahut gjatë një koncerti në O2 Forum në Kentish Town, në veri të Londrës, nëntorin e kaluar.
Por, siç shkruan The Guardian, kryemagjistrati Paul Goldspring, në gjykatën e Woolwich, ra dakord me ekipin mbrojtës të Ó hAnnaidh, i cili kishte argumentuar se kishte një gabim ligjor në mënyrën se si ishte ngritur akuza kundër tij.
Jashtë gjykatës të premten, Ó hAnnaidh u tha mbështetësve: Ne nuk do të heshtim!
“Gjej se këto procedime nuk janë ngritur në formën e duhur, duke munguar pëlqimi i nevojshëm i drejtorit të ndjekjes penale dhe prokurorit të përgjithshëm brenda afatit ligjor gjashtë mujor të përcaktuar nga neni 127.
Afati kohor kërkon që pëlqimi të jetë dhënë në kohën ose para lëshimit të kërkesës. Si pasojë, akuza është e paligjshme dhe e pavlefshme dhe kjo gjykatë nuk ka juridiksion për ta gjykuar”, tha gjykatësi.
Prokurori Michael Bisgrove kishte thënë më herët se leja nga drejtori i ndjekjes penale dhe prokurori i përgjithshëm nuk kërkohej deri në paraqitjen e parë të të pandehurit në gjykatë dhe se nuk ishte e nevojshme të kërkohej leje për të ngritur një akuzë penale.
Kryemagjistrati hodhi poshtë argumentet, duke i thënë gjykatës se ato “sfidojnë logjikën”.
Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës tha se po “rishikonte me kujdes vendimin e gjykatës” dhe se vendimi mund të apelohej.
Dhjetëra mbështetës të Ó hAnnaidh, të mbledhur jashtë gjykatës, brohoritën ndërsa vendimi u komunikua turmës. Disa valëvitën flamuj të Palestinës dhe Irlandës. Të tjerë mbanin pankarta ku shkruhej “Free Mo Chara”, duke iu referuar emrit artistik të reperit.
Ó hAnnaidh, i cili në dokumentet gjyqësore përmendet me emrin Liam O’Hanna, mbërriti në gjykatë i veshur me një kefije palestineze, një kominoshe në ngjyrat e trengjyrëshit irlandez dhe syze dielli.
Deputeti i Belfastit Perëndimor, Paul Maskey, i cili mori pjesë në gjykatë të premten, tha se vendimi për të mos vazhduar gjyqin ishte i duhuri.
“Kneecap kanë përdorur me guxim dhe pa kërkuar falje platformën e tyre në mbarë botën për të denoncuar gjenocidin e Izraelit dhe bashkëfajësinë e qeverive perëndimore.
Kriminelët e luftës izraelitë dhe ata që financojnë, mbështesin dhe mundësojnë gjenocidin dhe urinë e detyruar të grave dhe fëmijëve duhet të ishin para gjykatave, jo Mo Chara i Kneecap. Sulmi politik britanik ndaj Kneecap që çoi në këtë çështje ka dështuar. Sot, ata që janë në anën e drejtë të historisë kanë fituar”.
“Kemi fituar!!!!!! Liam Og është një njeri i lirë. Ne thamë se do të luftonim dhe do të fitonim. E bëmë (Dy herë). Kneecap nuk ka ASNJË akuzë OSE dënim në ASNJË vend, ASNJËHERË. Policia politike ka dështuar. Kneecap është në anën e drejtë të historisë. Britania nuk është. Liri për Palestinën”, u shpreh menaxheri i Kneecap, Daniel Lambert.
Kryeministrja e Irlandës së Veriut, Michelle O’Neill, e mirëpriti vendimin.
“Të gjitha akuzat janë hedhur poshtë kundër Mo Chara të Kneecap. E mirëpres fuqishëm këtë vendim. Këto akuza ishin pjesë e një përpjekjeje të llogaritur për të heshtur ata që ngrihen dhe flasin kundër gjenocidit izraelit në Gaza. Kneecap kanë përdorur platformën e tyre në skena në mbarë botën për ta ekspozuar këtë gjenocid, dhe është përgjegjësia e të gjithëve ne të vazhdojmë të flasim dhe të qëndrojmë kundër padrejtësisë në Palestinë”, tha ai.