Gazetari Ronaldo Sharka ka ndarë së fundmi një rrëfim të sinqertë dhe emocional mbi eksperiencën e tij në “Big Brother VIP Albania”, duke zbuluar arsyen që, sipas tij, ndikoi në mungesën e suksesit në reality show. Ai tha se gjatë qëndrimit në shtëpi iu rikthyen traumat e bullizimit që kishte përjetuar në fëmijëri.
Rrëfimi i tij filloi me një foto nga shkolla, ku shkroi: “Për 9 vite me radhë, në këtë shkollë qeshnin kur unë i tregoja për ëndrrat e mia, ose më saktë, talleshin.”
Më pas vijoi: “Bullizmi i lë trauma të cilat duan vite dhe shumë punë të shërohen. Kujdesuni për fëmijët tuaj, mësojini se si të kenë vetëbesim… Askush s’ka të drejtë të ndikojë në vetëbesimin e fëmijës tuaj.”
Ai bëri lidhjen mes kësaj përvoje dhe performancës në reality show: “Nuk e kam thënë kurrë më parë! Unë në Big Brother dështova sepse mu rikthyen gjithë traumat e bullizimit. Pas asaj eksperience gjithçka ka ndryshuar. Kam punuar çdo javë me psikoterapistë për të shëruar traumat të cilat në sfida të tilla më bënin të ndihesha i intimiduar. Sot, nuk më shqetësojnë bullistat.”
Në fund, Ronaldo bëri apel për kujdesin ndaj shëndetit mendor: “Nga ky Ronaldo, në këtë Ronaldo, mu desh shumë punë. Nëse mendoni që keni plagë të pashëruara, gjeni një psikoterapist të mirë dhe punoni me të sepse çdo gjë shërohet.”
Ky rrëfim i gazetarit ka marrë vëmendje të madhe, duke hapur sërish diskutimin mbi bullizimin dhe pasojat afatgjata që ai mund të ketë te individët.