Ditët e para të një lidhjeje të re janë magjike. Flutura në stomak, puthje, mesazhe dhe asnjë dilemë ndërsa bëhesh gati për takimin e radhës. Por nëse kjo do të mbaronte papritur tre muaj më vonë, atëherë ndoshta duhet t’i hidhni një sy trendit “3-6-9” në Tik-Tok.
Sipas përdoruesve, ky është një trend ideal për ata që harrojnë të ngadalësojnë pak në fillim të një lidhjeje apo që kanë pritshmëri larg realitetit. Rregulli të kujton të përqendrohesh te kimia, përputhshmëria dhe përkushtimi gjatë 9 muajve të parë të lidhjes.
Muaji 1-3
Janë muajt e ëmbël ku çdo gjë duket e lehtë, e bukur dhe fantastike. Takime, shumë shkëndija, premtime, s’ngopeni me njëri-tjetrin dhe çdo gjë duket perfekte. Sipas një psikologeje, kjo është faza kur njerëzit ende projektojnë fantazinë e partnerit ideal. Kjo është koha para se të kuptosh se personi përballë është po aq i gabueshëm.
Muaji 3-6
Gjërat vështirësohen dhe fillojnë sfidat. Ti nis të vësh re të metat dhe sjelljet. Ndoshta bëni një udhëtim dhe të lodhin ankesat apo grindeni për gjëra të vogla. Por kur gjërat nisin të zbehen dhe të vërtetat dalin, ndoshta edhe duke ju zhgënjyer. Shpesh kjo është një fazë kur shumë çifte ndahen.
Muaji 6-9
Përcakton nëse lidhja ia vlen të vazhdojë. Muajt e parë kanë ikur dhe keni njohur partnerin në përditshmëri e në debate ndaj duhet ta ndani mendjen nëse kjo ju pëlqen. Nëse faza e dytë ka kaluar me sukses, gjërat nisin të qetësohen dhe gjeni një ekuilibër. 9 muaj janë mjaftueshëm që të mendoni nëse duhet t’i përkushtoheni njëri-tjetrit, përputheni dhe keni të njëjtat synime e parime.
Shumë çifte i japin fund sapo muajt e bukur përfundojnë, por nëse doni një lidhje afatgjatë, duhet të kaloni zënkat e para. Sigurisht, jo të injoroni sinjalet alarmante apo toksike.
Një lidhje e shëndetshme duhet t’ju motivojë që të jeni versioni më i mirë i vetes, të pranoni anët e bukura dhe të ndërlikuara të rritjes dhe pavarësisht ndryshimeve mes jush, të jeni gjithnjë në krah të njëri-tjetrit.