Shtetet e Bashkuara kanë hyrë në një “shutdown” të pjesshëm që nga mesnata e së mërkurës, duke detyruar edhe Shtëpinë e Bardhë të mbyllë dyert për vizitorët.
Ky bllokim financiar mund të lërë pa paga rreth 750 mijë punonjës të administratës dhe të ndërpresë shërbime thelbësore për miliona qytetarë amerikanë.
Në qendër të krizës ndodhen fondet për sistemin e kujdesit shëndetësor publik, por përplasja është kryesisht politike. Demokratët dhe republikanët po përballen ashpër, me këta të parët që shpresojnë ta shfrytëzojnë situatën për të dëmtuar presidentin Trump dhe për të fituar terren në zgjedhjet afatmesme të vitit 2026.
Sipas ligjit amerikan, Kongresi duhet të miratojë çdo vit, deri më 1 tetor, 12 projektligje për financimin e shpenzimeve diskrecionale, që përfaqësojnë rreth një të katërtën e buxhetit federal.
Si rregull, kur kjo nuk arrihet në kohë, miratohet një masë e përkohshme financimi (të ashtuquajturat continuing resolutions), që mban shpenzimet në nivelin ekzistues.
Këtë herë, as demokratët dhe as republikanët nuk arritën të bien dakord mbi këtë masë të përkohshme. Të dyja palët bllokuan propozimet e njëra-tjetrës në Senat, duke shkaktuar bllokimin e funksioneve jo-thelbësore të qeverisë federale.
Në thelb të konfliktit është reforma fiskale e miratuar nga republikanët, pjesë e të ashtuquajturit “Big Beautiful Bill”, nënshkruar nga Trump më 4 korrik. Për të financuar uljet e taksave, republikanët kanë vendosur të ndërpresin disa lehtësime fiskale që përfitonin përdoruesit e sistemit të shëndetësisë publike “Obamacare”.
Kjo pritet të rrisë kostot mujore të sigurimeve shëndetësore me 400 deri në 600 dollarë për shumë familje amerikane. Rreth 4 milionë qytetarë mund të mbeten pa sigurim që nga fillimi i vitit të ardhshëm, ndërsa deri në vitin 2034, numri mund të arrijë në 10 milionë.
Demokratët besojnë se ky zhvillim do të ketë pasoja të rënda për republikanët dhe për presidentin Trump, duke i dëmtuar ata në zgjedhjet afatmesme dhe duke penguar agjendën e tyre legjislative.
Nga ana tjetër, republikanët janë të bindur se publiku do t’i fajësojë kundërshtarët për krizën dhe se kjo do të përkthehet në përfitime elektorale për ta. Presidenti ka deklaruar hapur: “Ky shutdown do të na lejojë të shkurtojmë shumë vende pune dhe programe që u pëlqejnë demokratëve.”
Në një konferencë për shtyp nga Shtëpia e Bardhë, zëvendësi i tij JD Vance akuzoi demokratët se po përpiqen t’u ofrojnë kujdes shëndetësor falas emigrantëve të paligjshëm.
Sipas Trump-it, demokratët moderuar janë peng i krahut të majtë të partisë, por do të detyrohen të dorëzohen kur të nisin shkurtimet e vendeve të punës dhe ngadalësimi ekonomik. Deri atëherë, ai përjashton çdo kompromis.